BE: Emërimi i Rashiçit ministër nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Sipas “konstatimeve” të para të Bashkimit Evropian, Kryeministri Kurti e ka shkelur Kushtetutën me emërimin e Nenad Rashiçit ministër.

Kryeministri Albin Kurti e ka emëruar Nenad Rashiçin ministër për Komunitete dhe Kthim dhe kjo ka nxitur reagime të pushtetit në Serbi.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, dhe partia që ai e kontrollon në Kosovë, Lista Srpska, kanë thënë se Rashiç nuk i përfaqëson serbët e Kosovës.

Lidhur me këtë, ka folur sot zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se “sipas vlerësimeve preliminare, emërimi i tij nuk ka qenë në përputhje me kushtetutën”.

“Është shumë e rëndësishme që të gjitha emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të sigurojnë respektimin e kushtetutës. Sipas leximit tonë preliminar, ky emërim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Stano.

Neni 96 i Kushtetutës së Kosovës flet për mënyrën e zgjedhjes së ministrave nga komunitetet etnike jo shumicë në Kosovës.

Ky nen thotë se, “Zgjedhja e këtyre ministrave [nga komunitetet] dhe zëvendësministrave do të vendoset pas konsultimit me partitë, me koalicionet ose grupet që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë”.

Pas emërimit të ministrit të ri, Vuçiç dje i ka fyer Kryeministrin Kurti, duke e quajtur “llumi terrorist”, dhe Ministrin e ri e këshilltaren e tij, Rada Trajkoviç. Rashiçin e Trajkoviçin i ka quajtur “lluma serbë nga fundi i koshit të mbeturinave”.

Stano, i pyetur nga gazetarët, ka dhënë një përgjigje rreth gjuhës së përdorur nga presidenti serb.

“Ne si komunitet i 27 vendeve presim nga të gjithë partnerët që të sillen në mënyrë evropiane, e kjo përfshin edhe Serbinë edhe Kosovën. Kjo nënkupton përmbajtje nga deklaratat nxitëse”, ka thënë Stano.

Nenad Rashiç është politikan serb në Kosovë, ish-deputet i Kuvendit, që viteve të fundit i ka bërë opozitën Listës Serbe, që merr votat shumicë nga komuniteti serb në Kosovë.

Gjatë Qeverisë Kurti I, Rashiç ishte emëruar këshilltar i Kryeministrit, por largua nga kjo pozitë pas një aktakuze të ngritur.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *