“BE ka dështuar në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi”, Erl Murati: Tashmë presioni i ndërkombëtarëve është mbi Albin Kurtin dhe qeverinë e tij

Kryeredaktori i “Gazetës Shqiptare” Erl Murati, i ftuar në rubrikën “Opinion” ka folur mes të tjerash në lidhje me situatën në Kosovë dhe qëndrimin e ndërkombëtarëve pas tensioneve në veri.

Ai ka deklaruar se faktori ndërkombëtar ka ndryshuar qëndrim dhe se tashmë presioni nuk është më mbi Serbinë, siç ka qenë gjatë të gjithë kësaj kohe, por mbi Kosovën dhe qeverinë Kurti.

Murati u shpreh se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë shumë gjëra mirë dhe se mbështet faktin që ai mbron sovranitetin e shtetit të tij, por se Kurti duhet të kuptojë që sovraniteti i Kosovës garantohet nga ndërkombëtarët dhe se pa ato Prishtina nuk mund të shkojë larg.

Ai shtoi se bërja një hap pas nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me ndërmjetësimin në dialogun Kosovë-Serbi nuk është diçka e mirë, pasi BE sipas tij ka dështuar ndërsa në kohën kur SHBA ishte e përfshirë gjërat ishin më të qeta.

Pjesë nga diskutimi:

Erl Murati: Herë pas here ka provokime në veri dhe dialogu është pezulluar ose është bërë mjaft i vështirë ndaj nuk përjashtohet që tensioni të vijojë të rrijë i ndezur edhe gjatë muajve në vijim.
Lirimi i tre policëve ishte një gjysmë hapi drejt normalizimit të situatës por nuk përjashtohet që në të ardhmen të kemi provokime.
Kemi qenë dëshmitarë që SHBA ka bërë një hap pas gjatë viteve të fundit dhe i ka besuar BE detyrën e veçantë të negociatave mes Kosovës e Serbisë

Ina Qirjo: Qëndrimi i BE mos është kritik ndaj Kosovës?

Erl Murati: Presidenti është mbi qeverinë e Kosovës e jo mbi Serbinë, gjë që ka qenë e kundërta në vitet e fundit. Ka pasur kërkesë të hapur për njohje të Kosovës si shtet i pavarur, por Vuçiç ka thënë sa kohë unë të jem në pushtet kjo nuk do të ndodhë kurrë.
U bënë disa vite që Kosova nuk ka më njohje të reja dhe tashmë presioni është mbi qeverinë Kurti për krijimin e Asociacionit. Nuk e di përse ka ndodhur një ndryshim i tillë i qëndrimit të faktorit ndërkombëtar.
Mbase ka ndikuar edhe lufta në Ukrainë dhe një “lufte të ftohë” të hapur me Rusinë, ka ndodhur një gjë e tillë.
Unë dyshoj që edhe nëse krijohet Asociacioni i shumëkërkuar nga ndërkombëtarët, nuk besoj se do të vendoset qetësia mes dy vendeve.
Deri tani BE ka dështuar në zgjidhjen e situatës, e vërteta është që kur SHBA ishte më e përfshirë situata ka qenë më e qetë.

Ina Qirjo: 8 senatorë i kanë drejtuar letër Biden ku kanë kërkuar masa ndaj Kosovës. Si e shihni këtë qëndrim?

Erl Murati: Rrethanat ndërkombëtare kanë ndryshuar për faktorin shqiptar në tërësi e për Kosovën në veçanti., Fakti që janë paralajmëruar sanksione tregon se situata është serioze.
Kanë ndryshuar shumë gjera, ashtu si situata në Senatin amerikan. Lobi shqiptar në Amerikë nuk është si ajo i para 10-15 vitesh. Nuk çuditem me kërkesën e 8 senatorëve.
Nëse ka një problem mes qeverisë së Kosës e ndërkombëtarëve nuk është problemi vetëm i zotit Kurti, ai është kryeministër dhe ka një popull që e udhëheq dhe e mbështet.

Pavarësisht se është ai që merr vendimet, nuk është një politikan që del dhe prish marrëdhëniet mes shteteve. Mos pranimi i Asociacionit nuk është vetëm një qëndrim i tillë por edhe i opozitës së Kosovës.
Është një situatë që Kurti nuk e ka të lehtë ta menaxhojë.

Kurti për mua nuk kishte luksin për shembull të bënte një akt të fortë politik e diplomatik pa njoftuar ndërkombëtarët, referuar betimin dhe hyrjen në zyra të kryekomunarëve në Veri.
Kurti shumë gjëra i ka bërë mirë por se ka gjëra që mund të kishte bërë më mirë.

Ai bën mirë që mbron sovranitetin e Kosovës por duhet të kemi parasysh që kjo garantohet nga ndërkombëtarët dhe pa ata Kosova nuk mund të shkojë larg.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts