
13:51 14/12/2021
Unioni ka paralajmëruar sanksione të ashpra nëse Moska vendos të sulmojë Ukrainën
Ashtu si NATO, dhe grupi i shtatë vendeve kryesore të industrializuara perëndimore edhe BE ka kërkuar vendosjen e sanksioneve , në rast se Rusia vendos të pushtojë Ukrainën.
Frika se Moska do të sulmojë Kievin është rritur pas paralajmërimeve të inteligjencës amerikane se Rusia mund të planifikojë një ofensivë me shumë fronte në Ukrainë në fillim të vitit të ardhshëm.
Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel u lëshuan paralajmërime të forta. Ministrja e re e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se sovraniteti i Ukrainës “mbetet i padiskutueshëm”. “Një ndërhyrje e Rusisë do të kishte pasoja të ashpra ekonomike dhe diplomatike“, tha Baerbock.
Shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, tërhoqi vëmendjen, se duhet përcaktuar se kur mund të kalohet vija e kuqe prej Rusisë. Sipas Borell ndërhyrja ushtarake në Kiev do të ketë një çmim të lartë. Ndërkohë BE-ja po mendon për një mision kualifikimi për ushtrinë ukrainase. Sistemet mbrojtëse të armatimit, si raketat kundër dronëve janë duke u furnizuar nga SHBA-ja.
Kremlini mohon se planifikon të pushtojë dhe thotë se Perëndimi është i mbërthyer nga rusofobia. Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai rus Vladimir Putin kanë rënë dakord të zhvillojnë më shumë bisedime.
Klan News
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al