BE pret një dimër të ftohtë pa gazin rus

[embedded content][embedded content]

22:20 06/11/2021

Ngjarjet e fundit kanë treguar se kontinenti europian ka një varësi të madhe nga gazi rus. Rritja stratosferike e çmimit të gazit, në paralel me kërkesën e konsumit për të, e kanë ngritur Rusinë në fronin e pushtetit duke e bërë që të diktojë mënyrën si luhet loja në tregun e energjisë.

Nëse Europa redukton varësinë nga gazi rus duke shumëfishuar mënyrat sesi konsumon energji, si dhe të ndjekë politika të gjelbra, kjo do ta çlironte Europën nga kapja prej Rusisë. Por nëse Europa vazhdon në këtë rrugë, atëherë padyshim që do të mbetet në mëshirë të Rusisë. Shtoi kësaj edhe faktin që po afron stina e dimrit dhe qytetarët kanë më shumë nevojë për gaz, ngrohje dhe elektricitet.

Varësia e madhe nga gazi natyror, veçanërisht në një dimër që parashikohet të jetë shumë i ftohtë, mund të dobësojë sektorin e energjisë së Europës dhe sigurinë kombëtare, duke e lënë Rusinë komplet të papërmbajtshme. Bashkimi Europian i shpërfilli paralajmërimet e hershme për gazin rus. Kjo solli krizën aktuale të energjisë dhe do ishte naive po t’i injoronte sërish shenjat e alarmit. Nëse BE do ta zgjeronte tregun edhe më tej për të blerë më shumë gaz nga vende si Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara, kjo do të shumëfishonte mundësitë për blerjen e energjisë, duke vënë në vështirësi aftësinë e rusëve për të krijuar monopolin e këtij burimi natyral.

Europa mund të investojë më shumë për energji të ripërtëritshme sepse shtetet që kanë më shumë burime energjie të këtij lloji paguajnë më pak për çmimin e elektricitetit. Energjia e ripërtëritshme prodhoi rreth 40 për qind të elektricitetit në mbarë BE për periudhën janar-qershor të vitit të shkuar, ndërsa lëndët djegëse fosile rreth 34 për qind. Sipas eksperteve energjia e ripërtëritshme është më efikase për të prodhuar energji sesa djegia e lëndëve fosile. BE është zotuar se do të reduktojë emetimet e karbonit me 55 për qind deri në 2030.

Përkrahësit e këtij projekti kanë argumentuar se gazsjellësi Nord Stream 2 do të krijojë mundësi të reja ekonomike për Gjermaninë dhe do të thjeshtësojë ndjeshmërinë që ka Europa qendrore ndaj çështjes ruso-ukrainase dhe ruso-bjelloruse.

Ukraina dhe Bjellorusia kanë tubacione përmes të cilave transportohet gaz drejt Europës qendrore. Në të shkuarën, mosmarrëveshjet e Rusisë dhe këtyre vendeve kanë bërë që Rusia të presë furnizimin. Një situatë e tillë gjatë muajve të dimrit të viteve 2004, 2005 dhe 2009 i la miliona ukrainas, bjellorusë dhe banorë të Europës qendrore pa gaz.

Përpara ndërtimit të Nord Stream 2, Bashkimi Europian importonte 41 për qind të gazit natyral që përdorte nga Rusia. Kur gazsjellësi të përfundojë, eksporti drejt Europës do të rritet, duke betonuar monopolin e energjisë që Rusia ka mbi kontinentin europian. Kjo do t’i japë rusëve edhe më shumë përparësi ndaj kombeve të Europës, pasi do të mund të kontrollojnë rregullisht çmimin dhe furnizimin me gaz.

Për më tepër, gazsjellësi i mundëson Rusisë një rrugë të drejtpërdrejt në kontinentin europian. Nëse marrëdhëniet ndrydhen sërish, Rusia mund t’i vërë çelësin gazsjellësit, duke lënë miliona persona pa këtë burim natyror. Administrata e Biden zgjodhi të heqë disa prej sanksioneve ndaj Nord Stream 2, qeveria gjermane vazhdoi projektin dhe ndërtimi i gazsjellësit përfundoi në shtator të vitit 2021. Më pas, Rusia uli eksportin e gazit drejt Europës. Reduktimi solli një rritje të madhe të kërkesës dhe shkaktoi devijime dramatike në çmim.

Gazprom gjithashtu deklaroi se kishte reduktuar furnizimin me gaz nga Bjellorusia drejt BE me 70 për qind. Eksportet e gazit nga Polonia dhe Ukraina drejt Europës qendrore kanë rënë po ashtu. Kriza e fundit nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e Rusisë për ta kthyer furnizimin me gaz për Europën në armën e saj.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *