BE sanksione të reja ndaj Moskës

be sanksione te reja ndaj moskes

12:30 21/02/2024

SHBA do të sanksionojnë Rusinë në përgjigje të vdekjes se udhëheqësit të opozitës

Bashkimi Europian ka miratuar një pakete të re sanksionesh për Moskën, për luftën në Ukrainë. Diplomatët e 27 vendeve anëtare miratuan në parim me nismën e presidencës belge, listën me 200 emra biznesesh dhe individësh të lidhur me sulmin rus në Ukrainë, me të cilët vendet e unionit nuk lejohen të kenë asnjë kontakt dhe i sekuestrohet çdo pronë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha përmes rrjetit X se paketa e vështirëson edhe më shumë furnizimin e Rusisë me dronë, një prej armëve kryesore të përdorura nga Moska në luftën në Ukrainë. Paketa pritet të marrë miratimin përfundimtar në samitin e 24 Shkurtit, kur përkujtohet 2-vjetori i nisjes së luftës. Ndërkaq nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara do të njoftojnë një paketë me sanksione të konsiderueshme ndaj Rusisë në përgjigje të vdekjes së udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby u shpreh se sanksionet, të cilat do të përkojnë me dy vjetorin e agresionit rus ndaj Ukrainës, do të plotësohen në mënyrë të veçantë me sanksione shtesë lidhur me vdekjen Navalny. Ai shtoi se ambasada e SHBA-së në Moskë ka kërkuar më shumë informacion në lidhje me vdekjen e Navalny-t, por sipas saj është e vështirë të besohet atë që thonë rusët për vdekjen e tij.

Vdekja misterioze e ish liderit të opozitës Alexei Navalny dhe intensifikimi i luftimeve nga pala ruse duhet t’i bëjë liderët të drejtojnë sytë nga Ukraina. Gjatë një interviste shefi i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi se tërheqja e forcave ukrainase nga qyteti i Avdivkës pas shumë muajve luftimesh, dëshmon nevojën për më shumë ndihma ushtarake.

“Unë besoj fuqishëm se mënyra më e mirë për ta nderuar kujtimin e Alexei Navalnyt është të sigurohemi se presidenti Putin nuk fiton në fushëbetejë, por që Ukraina të triumfojë. Natyrisht se ne e kemi vëmendjen te Shtetet e Bashkuara, por ne po e shohim gjithashtu se si aleatët e tjerë po i japin mbështetje të madhe Ukrainës”, tha Stoltenberg.

Ai e përsëriti se të gjithë aleatët e Ukrainës duan që avionët luftarakë të jenë në dorën e Kievit sa më shpejt që është e mundur, por shtoi se ndikimi i tyre do të jetë më i fortë nëse pilotët janë të trajnuar mirë.

“Pra, mendoj se ne duhet t’i dëgjojmë ekspertët ushtarakë se kur saktësisht do të jemi ne të gatshëm, apo se kur aleatët do të jenë të gatshëm të fillojnë t’ia dërgojnë Ukrainës avionët F-16”, shtoi ai.

Suedia së fundmi deklaroi se do t’i japë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 680 milionë dollarë, përfshirë dërgimin e pajisjeve dhe para të gatshme për blerjen e armëve. Departamenti i Mbrojtjes i Kanadasë në fillim të kësaj jave bëri të ditur se do t’i dërgojë Ukrainës më shumë se 800 dronë, me vlerë 70 milionë dollarë dhe do të mbërrijnë nga fillimi i pranverës.

Klan News


Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts