BE: Situata në Bosnje është shqetësuese. Udhëheqësit politikë duhet të gjejnë zgjidhje

Bashkimi Evropian tha se situata në Bosnje dhe Hercegovinë paraqet “burim të madh shqetësimi”. Duke folur të mërkurën para gazetarëve në Bruksel, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se udhëheqësit politikë të këtij vendi duhet të gjejnë zgjidhje.

“Duhet të angazhohemi në dialog politik, sepse kjo është e vetmja mënyrë konstruktive për të gjetur zgjidhje të krizës midis liderëve politikë. Veprimet e njëanshme dhe retorika e përçarjeve duhet të ndërpriten për të mirën e qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Bosnjës”, tha Stano.

Deklarata e tij vjen në kohën kur udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Ai po ashtu ka thënë se serbët e Bosnjës mund të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit dhe të rikrijojnë një forcë serbe.

Të martën, gazeta britanike Guardian ka cituar përfaqësuesin e lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, të ketë thënë se ky vend “është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë” dhe se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.

Përfaqësuesit e Republikës Sërpska janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje.

Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *