
23:10 03/11/2022
Më herët kryeministri Edi Rama akuzoi Suella Braverman për diskriminim të shqiptarëve
Deklaratat e fundit nga sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe Suella Braverman ku ajo shënjestronte emigrantët shqiptarë kanë ngjallur reagime jo vetëm brenda Britanisë së Madhe por edhe jashtë saj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Belizes, Eamon Courtenay, sulmoi sekretaren e brendshme për planet e saj të dëbimit të emigrantëve, duke thënë se ato janë çnjerëzore.
Më herët u raportua se qeveria britanike ishte në bisedime me një numër vendesh të reja për marrëveshjet e dëbimit. Por ministri i jashtëm i Belizes ka mohuar se vendi i tij po punon në lidhje me këtë cështje me qeverinë britanike.
“Belize nuk është në negociata me Mbretërinë e Bashkuar apo ndonjë vend tjetër për të pranuar emigrantë. Ne nuk do të pranojmë të marrim emigrantë të dëbuar. Kjo është çnjerëzore dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, tha Eamon Courtenay, ministri i jashtëm i Belizës
Kjo është qeveria e dytë e cila shqetësohet për trajtimin e krizës së emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar. Kryeministri Edi Rama kritikoi qeverinë britanike për “diskriminim” ndaj shqiptarëve.
Numri i emigrantëve që kanë shkuar në Britaninë e Madhe përmes Lamanshit ka arritur nivele rekord, duke shkaktuar vonesa në aplikimet për azil dhe duke rritur kostot për sa i përket strehimit dhe shërbimeve të tjera sociale.
Klan News