Berisha çon Kuvendin në “Air Albania”: Presim protesta masive









MARIGLEN KUME/ Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i datës 11 dhjetor i iniciuar nga Sali Berisha me mbështetjen sipas tij të 4200 delegatëve të Kuvendit nuk do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, por në stadiumin “Air Albania”.

Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje nga “Foltorja” e radhës në Devoll se nëse koha do të jetë e përshtatshme për të demonstruar një Kuvend serioz mbledhja do bëhet në stadium. “I vetmi vend ku mund të mblidhemi për të treguar se jemi seriozë, është ‘Air Albania’, por motin nuk e dimë.

Partia e kombit më të madh në Europë, gjerman, e ka Kuvendin me 930 delegatë. Basha e bëri Kuvendin me 7600 delegatë që të mos dinim se kush voton e kush jo. Ai vendosi në krye të PD-së, me metoda antidemokratike, një kryesi të emëruar prej tij. Kryesia e PD-së, në shkelje flagrante, 60% është emëruar nga kryetari.

De fakto është e paligjshme në parim dhe statut. Statuti kërkon që anëtari i Kryesisë të votohet nga Këshilli Kombëtar me dy kandidatura dhe votë të fshehtë. Kryetari votoi 15 me kandidatura, ndërsa mbi 20 nuk i votoi fare.

Dhe PD-ja e përjashtoi votën. Akti ynë madhor do jetë rikthimi i votës. Ne do vendosim primaret dhe ato janë një vlerë e madhe. Qëndrimet e pengBashës janë antiamerikane. Përjashtimi i votës është antieuropian dhe antiamerikan”, tha Berisha.

AKUZAT

Gjatë “Foltores” së mbajtur dje në Bilisht ishKryeministri sërish foli mbi dosjen e “Toyota Yaris”. Sipas liderit historik të PDsë, Edi Rama i mbylli dosjen Lulzim Bashës, por Prokuroria belge nisi hetimet dhe në datën 17 prokurorët belgë e presin kreun e PD-së në zyrë.

“Tani fjala është e drejtësisë belge që e mori njëherë në pyetje peng-kryetarin. Drejtësia belge është e pavarur dhe ka kërkuar marrjen e tij me forcë në pyetje dhe procedimin penal.

Dua t’i kërkoj këtu jep dorëheqjen, mos u fshi pas dosjeve të tua. Edi Rama të ka mbajtur peng me dosjen në Shqipëri, por në Belgjikë rezulton i hapur anëtar i organizatës kriminale. Ai prishi operacionin dhe unë këtë ia kam thënë pa ardhur ‘Toyota’ në Shqipëri.

Kam pasur zero njohuri se drejtësia belge e ka dhënë për ndjekje penale. Edi Rama ka fshehur faktin se ishte thirrur 5 herë për t’u proceduar penalisht. Tetorin e kaluar është thirrur përsëri dhe sipas burimeve në datën 17 prokurorët belgë e presin në zyrën e tyre. Edi Rama mund të mbyllë dhe hapë dosjen sipas qejfit, por nuk të shpëton nga kjo shumicë gjigante e PD-së. Je i përfunduar”, akuzoi Berisha.

Ndërkohë më herët gjatë ditës së djeshme, ish-kryedemokrati Berisha dha një intervistë për një radio në shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë intervistës Berisha u shpreh se ambasadorja e SHBA-së në vendin tonë po bën presion për arrestimin e tij.

“Unë mund të lëviz, sepse nuk ka asnjë akuzë kundër meje, nuk kanë prova. Presioni është i lartë nga ambasadorja amerikane. Ajo ka kërkuar që të bllokohet hyrja ime në Kuvend. Ajo bindi kryetarin e partisë që të më përjashtonte nga grupi parlamentar në shkelje të plotë të Kushtetutës së partisë. Ka pasur një reagim dhe kjo më nxiti që të kem një projekt për t’u rikthyer fuqishëm”, tha Berisha.

Ndërsa në vijim Berisha u shpreh se shpallja e tij “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit është sponsorizuar nga multimiliarderi Gerorge Soros, pasi ka mbajtur qëndrime politike përkundër planeve të tija.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.