Berisha peshku i madh?/ Yuri Kim jep mesazhin pas vendimit të DASH: Shqipëria po ndryshon! Ditët e pandëshkueshmërisë duhet të përfundojnë






Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka komentuar vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit që e shpalli Sali Berishën non grata. Në një komunikim me gazetarët, Yuri Kim tha se ditët e pandëshkueshmërisë duhet të përfundojnë dhe për këtë duhet të punojnë të gjithë.

E pyetur nga gazetarët, se a është Sali Berisha peshku i madh, Kim u përgjigj me sloganin e Partisë Demokratike, se “Shqipëria po ndryshon”.

Ajo u shpreh se nuk ka çfarë ti shtoje deklarates se Blinken për Sali Berishën, ndersa theksoi se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.

“Shumë prej kësaj lidhet me demokracinë dhe shtetin ligjor. Keni parë zhvillime domethënëse këto janë zhvillime pozitivë që duhet të vazhdojnë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar përveç asaj që ka thënë sekretari i shtetit.

Mesazhi është ky: Shqipëria po ndryshon, Shqipëria është anëtare NATO-s Shqipëria do të jetë anëtare në BE, Shqipëria është mike dhe aleate e SHBA-ve. Shteti ligjor duhet të përvaloje dhe të mbizotërojë. Duhet të jetë një vend i pastër që të jetë një vend i pasur. Për të arritur aty askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Ditët e pandëshkueshmërisë duhet të përfundojnë. Ky nuk është projekti i juaji dhe i SHBA, por është i përbashkët dhe të gjithë duhet të punojmë së bashku për këtë”, tha Kim.

Deklaratat e ambasadores Kim u bënë nga Vlora, ku mori pjese në stërvitjen e NATO-s “Defender 21”.

BERISHA PARALAJMËROI PADI

Një ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi padi ndaj sekretarit amerikan të shtetit për shpifje.

“Kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral siç është Franca që të ngrejë një padi direkte ndaj Blinken për shpifje. Zt Blinken mundet ndoshta të pretendojë. Imuniteti sot vlerësohet nga Gjykata në mënyrë relative, çka do të thotë se është ai mbrojtur kur ai kryen akte normale të pozitës së tij”, tha Berisha dje ne nje konference per mediat.

VENDIMI I DASH

“Sot, po shpall përcaktimin publik të shtetasit shqiptar Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë si i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë.

Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë.”

“Për më tepër, – thuhet në deklaratë, – retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat e përgjegjshmërisë. Me këtë përcaktim, unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.”

“Ky përcaktim, thotë deklarata, – bëhet në bazë të Rregullores 7031 (c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme dhe Programet Përkatëse të Financimeve, 2021. Përveç Berishës, përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkelzen Berisha dhe vajzën, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.”

“Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA për mbështetjen e reformave politike thelbësore për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë në krah të popullit të Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë kompetenca si kjo për të nxitur kërkesën e llogarisë ndaj aktorëve të korruptuar në këtë rajon dhe globalisht,” thotë në deklaratën e tij Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *