
Ukraina ka nevojë për armë të reja dhe të rënda menjëherë pasi beteja për Donbasin paralajmëron një konfrontim të madh ushtarak që do të përcaktojë rezultatin e luftës, u tha sot aleatëve të NATO-s ministri i jashtëm i vendit të rrethuar.
Gjatë bisedimeve në Bruksel, Dmytro Kuleba i bëri thirrje aleancës perëndimore, duke paralajmëruar se Ukraina po luftonte në emër të aleatëve për të kontrolluar ambiciet e Putinit dhe se kishte nevojë për “armë, armë, armë”.
Ai u tha ministrave të jashtëm të aleancës se nëse Rusia do të triumfonte në Ukrainë, do të ishte vetëm çështje kohe përpara se Putini të testonte vendosmërinë e NATO-s për të mbrojtur Poloninë ose shtetet baltike sipas klauzolës së mbrojtjes kolektive të aleancës.
“Ju na siguroni gjithçka që na nevojitet dhe ne do të luftojmë për sigurinë tonë, por edhe për sigurinë tuaj. Kështu që Presidenti Putin nuk do të ketë asnjë shans për të testuar nenin e pestë të Traktatit të Atlantikut të Veriut”, tha ai.
“Ose na ndihmoni tani – dhe unë po flas për ditë, jo javë, ose ndihma juaj do të vijë shumë vonë.”
Ukraina po e shtyn Perëndimin të rrisë furnizimet me armë dhe të përfshijë armatim të rëndë, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, artilerinë, tanket dhe avionët luftarakë.
Kuleba i tha NATO-s se “ndërsa ne flasim” beteja për Donbasin “është duke u zhvilluar, por nuk ka arritur ende shkallën e saj përfundimtare”.
“Beteja për Donbasin do t’ju kujtojë Luftën e Dytë Botërore me operacione të mëdha, manovra, përfshirje të mijëra tankeve, automjeteve të blinduara, avionëve, artilerisë,” tha ai. “Rusia ka planin e saj, ne kemi tonën dhe rezultati do të vendoset në fushën e betejës”.
Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, tha se aleatët janë “gati të bëjnë më shumë” dhe “e kuptojnë dhe e njohin urgjencën” e ofrimit të një game të gjerë sistemesh armësh, duke përfshirë armët e kohës sovjetike dhe ato moderne.
“Ne ramë dakord se duhet të forcojmë dhe të mbajmë më tej mbështetjen tonë për Ukrainën. Kështu që Ukraina të mbizotërojë, “tha ai.
Liz Truss, sekretarja e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, u zotua se Britania do t’i përgjigjet thirrjes së Ukrainës për armë moderne për ta ndihmuar atë të kthejë valën ndërsa lufta hyn në një fazë vendimtare.
“Ne e kemi kuptuar se konflikti ka hyrë në një fazë të re dhe të ndryshme me një ofensivë më të përqendruar ruse,” tha ajo, duke premtuar “pajisje të reja dhe më të rënda në mënyrë që ata të mund t’i përgjigjen këtyre kërcënimeve të reja”.
“Ne ramë dakord të ndihmojmë forcat ukrainase të kalojnë nga pajisjet e tyre të epokës sovjetike në pajisjet standarde të NATO-s në baza dypalëshe.”
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al