Beteja për shumicën dhe transparencën, Basha mbledh sot Kuvendin Kombëtar të PD. Kush janë të ftuarit specialë









MARIGLEN KUME/ Në Pallatin e Kongreseve punonjësit teknikë dje mbërritën rreth orës 9 të mëngjesit dhe kanë vijuar punimet pa pushim deri në orët e vona të së premtes për të pritur delegatët e Kuvendit të Partisë Demokratike të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha dhe miratuar nga Kryesia e selisë blu.

Në sallë janë gati ekranet e mëdha ku do të shfaqen folësit që do të ngjiten në podium. Ndërkohë, në krahë të ekraneve janë banerat me sloganin

“Të zgjedhim të ardhmen”.

Kujtojmë që arsyeja pse u thirr ky Kuvend ishte kriza e krijuar në selinë blu pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pezulloi nga Grupi Parlamentar i PDsë liderin historik, Sali Berishën, pasi ky i fundit u shpall person i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me akuzën se ka kryer korrupsion gjatë kohës që ka qenë në pushtet dhe është minues i demokracisë.

Pa dhënë detaje, organizatorët pohuan se do të jetë listë e gjatë e folësve, ndërkohë që gazeta “Panorama” mëson përmes burimeve se në Kuvendin e PD-së pritet që të marrë pjesë edhe ish-Presidenti Bamir Topi, i cili është parashikuar që të ngjitet edhe në podium për të folur, si edhe një prej themeluesve të PD-së, Rexhep Uka.

Kujtojmë që Uka është një nga themeluesit e PD-së dhe është ish-ministri i Bujqësisë i parë i pluralizmit.

Ish-themeluesi i PD-së ka më shumë se një dekadë që është larguar nga Partia Demokratike dhe shpeshherë ka qenë kritik i Sali Berishës.

SFIDA

Në kushtet kur një javë më parë Sali Berisha zhvilloi Kuvendin e thirrur prej tij, ku sipas tyre, në stadium erdhën më shumë se 4900 delegatë, sfida e kryedemokratit Basha është që të sigurojë shumicën e delegatëve dhe të bëjë transparent për publikun pjesëmarrësit.

Gazeta “Panorama” mëson se kreu i PD-së gjatë këtyre ditëve ka zhvilluar takime me kryetarët e degëve dhe i ka pajisur ata me kartat e delegatëve për zonën që secili mbulon.

Ndërkohë që për të verifikuar delegatët, në hyrje të Pallatit të Kongreseve, në katin e parë dhe të dytë, janë vendosur tavolina me nga 3 anëtarë, të cilët do të bëjnë verifikimin e delegatëve që do të paraqiten në mbledhje. Secila tavolinë ku do të qëndrojnë tre verifikues do të ketë një baner në krah, ku saktësohet qarku dhe degët e cilës zonë do të bëjë verifikimin e delegatëve.

Pas kësaj procedure, ata do të futen në sallën e kongresit. Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka në total pak më shumë se 7600 delegatë dhe për të pasur vendimmarrje në Kuvend duhet që në sallë të jenë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij, pra afërsisht më shumë se 3800 delegatë.

Por në kushtet kur salla e Pallatit të Kongreseve nuk i kalon 3 mijë ulëse, atëherë delegatët do të qëndrojnë edhe në holl, ku janë vendosur ekrane dhe bokse të mëdha.

Kuvendi i ditës së sotme, ndër të tjera, është edhe matje forcash përballë Sali Berishës, që sot organizon referendumin për shkarkimin e kryedemokratit Basha. E për të demonstruar forcë, organizatorët parashikojnë që veç mbushjes së sallës së Pallatit të Kongreseve dhe hollit, të mbushin edhe hapësirën e jashtme të Pallatit të Kongreseve.

RENDI I DITËS

Mbledhja e ditës së sotme pritet të jetë e gjatë, ku do të ketë edhe vendimmarrje për ndryshimin e Statutit të PDsë.

“Vendimmarrje mbi situatën politike, si edhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e PD-së, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD-së dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.

Miratimin e aksionit politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e platformës qytetare për demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si edhe ndërtimin e mekanizmit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar, ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit, kryesisht nga të rinjtë.

Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektit ‘Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri’”, thuhet në rendin e ditës.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.