
23:22 13/05/2022
Presidenti amerikan Joe Biden ka folur me liderët e Finlandës dhe Suedisë për planet e tyre për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s.
Shtëpia e Bardhë tha se Biden kishte mbajtur një telefonatë të përbashkët me presidentin finlandez Sauli Niinistö dhe kryeministren suedeze Magdalena Andersson për këtë çështje të premten.
Sipas asaj që shkruan BBC, treshja mësohet se diskutoi politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe të drejtën e Finlandës dhe Suedisë për të vendosur për të ardhmen e tyre, politikën e jashtme dhe marrëveshjet e sigurisë.
Më pas, Niinistö shkroi në Twitter se ai në telefonatë ishte folur për “hapat e radhës të Finlandës drejt anëtarësimit në NATO”.
Telefonata vjen një ditë pasi Niinistö dhe kryeministrja e Finlandës Sanna Marin kërkuan që vendi historikisht neutral të aplikojë për anëtarësim në NATO “pa vonesë”.
Suedia do të shpallë vendimin e saj për anëtarësimin në NATO të dielën./tvklan.al