Biden dhe Erdogan optimistë pas takimit, por…

09:10 15/06/2021

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe Presidenti turk Erdogan tingëlluan optimistë pas bisedimeve të tyre të para ballë për ballë të hënën, megjithëse nuk njoftuan ndonjë zhvillim madhor për marrëdhënien mes dy vendeve aleate me qëndrime të kundërta për armatimet ruse, Sirinë, Libinë dhe çështje të tjera.

“Patëm një takim pozitiv dhe produktiv, pjesën më të madhe kokë më kokë”, tha Presidenti Biden në një konferencë për shtyp pas takimit në Bruksel.

“Ekipet tona do të vazhdojnë diskutimin dhe kam besim se do të arrijmë progres të vërtet me Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.

Presidenti Erdogan i karakterizoi bisedimet e tij me Presidentin Biden në kuadrin e punimeve të një samiti të NATO-s si “produktive dhe të sinqerta”.

“Mendojmë se në marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë nuk ka probleme që janë të pazgjidhshme dhe se fushat e bashkëpunimit për ne janë më të pasura dhe më të mëdha se problemet”, tha ai.

Pavarësisht nga toni i tyre optimist në publik, asnjëri nuk dha detaje se si saktësisht do ta ndreqin marrëdhënien, dhe as nuk paraqiti hapat që do të ndihmonin në lehtësimin e tensioneve mes aleatëve të NATO-s.

Turqia, vendi me ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, ka zemëruar aleatët e saj në aleancën ushtarake perëndimore duke blerë raketa ruse tokë-ajër dhe duke ndërhyrë në luftërat në Siri dhe Libi. Ajo është angazhuar gjithashtu në një përballje me Greqinë dhe Qipron mbi ujërat territoriale në Mesdheun Lindor.

Si president, zoti Biden ka adoptuar një ton më të ftohtë se paraardhësi Donald Trump ndaj Erdoganit. Presidenti Biden e njohu me shpejtësi masakrën e armenëve në 1915 si gjenocid – një qëndrim që zemëron Turqinë – dhe rriti kritikat ndaj gjendjes së të drejtave të njeriut në Turqi.

Uashingtoni tashmë e ka hequr Ankaranë nga programi i avionëve luftarakë F-35 dhe ka vendosur sanksione mbi blerjen nga Turqia të raketave ruse tokë-ajër S-400.

Një aspekt ku zoti Erdogan shpresonte të demonstronte një rol qendror turk në NATO është Afganistani, ku Ankaraja ka ofruar të ruajë dhe operojë aeroportin e Kabulit pasi forcat amerikane dhe të NATO-s të tërhiqen në javët e ardhshme. Kreu i NATO-s Jens Stoltenberg tha se Turqia do të luante një rol kryesor, por se asnjë vendim nuk u mor në takimin e së hënës.

Gjatë shkëmbimit përpara Samitit
Gjatë shkëmbimit përpara Samitit

Në fillim të sesionit të udhëheqësve kryesorë në NATO, Presidenti Biden foli gjatë me zotin Erdogan, së bashku me një grup të vogël pjesëmarrësish, përpara se të zinin vendet e tyre.

Më vonë gjatë ditës, të dy udhëheqësit dhe ndihmësit e tyre të lartë u ulën kryesisht në heshtje në anët e kundërta të një tryeze konferencash, duke mos iu përgjigjur pyetjeve që iu bënë nga gazetarët e ftuar shkurtimisht në dhomë.

Zoti Erdogan gjithashtu u takua me Presidentin francez Emmanuel Macron. Ankaraja dhe Parisi kanë qenë në mosmarrëveshje lidhur me Sirinë dhe Libinë, për luftën kundër asaj që zoti Macron e quan separatizëm islamik, ndër çështje të tjera.

“Presidenti Erdogan konfirmoi gjatë takimit tonë dëshirën e tij që mercenarët e huaj, milicitë e huaja, që veprojnë në tokën libiane të largohen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zoti Macron në një konferencë shtypi më pas./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *