
23:44 01/12/2022
Presidenti amerikan pret presidentin e Francës Macron, sheshohen mosmarrëveshjet tregtare
Udhëheqësit e ShBA-së dhe të Francës, Joe Biden dhe Emmanuel Macron u shfaqën të bashkuar për luftën Ukrainën gjatë një takimi të enjten në Shtëpinë e Bardhë. Kreu amerikan tha se nuk ka në plan të kontaktojë me presidentin rus Vladimir Putin, por është i përgatitur të flasë me të vetëm nëse ai ka interes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe vetëm në konsultim me aleatët e NATO-s.
“Nuk kam plan të kontaktoj me zotin Putin. Por jam i përgatitur të flas me të vetëm nëse në fakt ai ka interes që të vendosë dhe po kërkon një mënyrë për t’i dhënë fund luftës. Deri tani ai nuk e ka bërë ende këtë”, tha Joe Biden
Bideni i bëri komentet gjatë konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë pas bisedimeve me homologun francez Emmanuel Macron.
Një mosmarrëveshje mbi subvencionet e SHBA-së për kompanitë e teknologjisë së gjelbër kërcënoi të prishte vizitën shtetërore të Macronit, megjithatë, të dy udhëheqësit sinjalizuan se kishin arritur të paktën të qetësonin grindjen pas bisedimeve të tyre një orë e 45 minuta në Zyrën Ovale.
“Ne ramë dakord të diskutojmë hapat praktik për të koordinuar dhe përafruar qasjet tona në mënyrë që të mund të forcojmë dhe sigurojmë zinxhirët e furnizimit, prodhimin dhe novacionin në të dy anët e Atlantikut,” tha Biden në konferencën e tyre të përbashkët për shtyp.
Kjo është vizita e parë shtetërore që kur presidenti amerikan mori detyrën në fillim të vitit 2021.
Klan News
Të ngjashmeBurimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al