Biden i quan “joamerikane” deklaratat e Trumpit për NATO-n: E keqja e tij është se…

biden i quan joamerikane deklaratat e trumpit per nato n e keqja e tij eshte se
biden i quan joamerikane deklaratat e trumpit per nato n e keqja e tij eshte se

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë të martën se deklaratat e ish-presidentit Donald Trump, që e vunë në dyshim përkushtimin amerikan për t’i mbrojtur nga sulmet aleatët e vet në NATO, janë “joamerikane” dhe “të rrezikshme”.

Trump tha të shtunën se dikur kishte paralajmëruar se do ta lejonte Rusinë të bëjë çfarë të dojë me vendet anëtare të NATO-s të cilat nuk e përmbushin zotimin për t’i shpenzuar 2 për qind të bruto produktit të brendshëm për mbrojtjen.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë të martën, Bideni tha se komentet e Trumpit – i cili i prin garës së republikanëve për t’u nominuar për president në zgjedhjet e nëntorit në SHBA – ishin “tronditëse” po ashtu.

“E tërë bota e dëgjoi këtë dhe më e keqja është se ai e ka me gjithë mend”, tha Biden.

Bideni tha se “kur Amerika e jep fjalën, kjo është diçka e rëndësishme”, si dhe tha komentet e Trumpit që e vunë në dyshim përkushtimin e SHBA-së janë “joamerikane”.

“Ai nuk e kupton se përkushtimi i shenjtë që e kemi bërë, është edhe në dobinë tonë”, tha Biden.

Çfarë tha Trumpi për NATO-n?

Si president amerikan nga viti 2017 deri më 2021, Trumpi shpesh i kritikonte NATO-n dhe anëtarët e saj si, Gjermaninë, duke i akuzuar se nuk po paguanin mjaftueshëm për mbrojtjen e vet dhe se po mbështeteshin në Uashingtonin për t’i mbrojtur.

Ai e vuri në dyshim haptazi parimin e mbrojtjes së përbashkët. Edhe administratat e tjera amerikane i kanë akuzuar evropianët për shpenzime të pamjaftueshme në mbrojtje, por me ton më të butë. Kritikat e Trumpit arritën në një shkallë tjetër gjatë një fushate zgjedhore të shtunën në Karolinën e Jugut, kur ai kujtoi, siç tha, një bisedë me “një president të një vendi të madh”.

“Epo, zotëri, nëse ne nuk paguajmë dhe na sulmon Rusia – a do të na mbroni ju?” Trumpi e citoi liderin anonim të ketë thënë. “Unë i thashë: ‘Ju nuk keni paguar? Ju jeni fajtor?’ Ndërsa, ai më tha: ‘Po, të themi se ndodhi ajo.’ Jo, unë nuk do t’ju mbroja juve. Në fakt, unë do t’i nxisja ata [Rusinë] të bëjnë çfarë dreqin duan. Ju duhet të paguani”, tha Trump.
Sipas vlerësimeve të NATO-s nga korriku i vitit të kaluar, 11 vende anëtare pritej ta arrinin synimin e 2 përqindëshit më 2023. Ato ishin: Polonia, Shtetet e Bashkuara, Greqia, Estonia, Lituania, Finlanda, Rumania, Hungaria, Letonia, Britani e Madhe dhe Sllovakia. Gjermania, e cila ka ndër ekonomitë më të mira në Evropë, shpenzoi rreth 1.75 për qind të GDP-së për mbrojtjen. Por, zyrtarët gjermanë kanë thënë se presin se do ta arrijnë cakun prej 2 për qind këtë vit, kryesisht falë një fondi të veçantë prej 1 miliard eurove të themeluar si përgjigje ndaj luftës ruse në Ukrainë. Vendet që shpenzuan më së paku nga GDP-ja e brendshme ishin: Spanja, Belgjika dhe Luksemburgu, sipas të dhënave të NATO-s.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts