
20:33 20/08/2021
Presidenti amerikan Joe Biden, duke folur nga Shtëpia e Bardhë deklaroi se që prej së hënës, ka pasur shumë progres dhe se SHBA-të kanë mundur të sigurojnë aeroportin e Kabulit dhe po vijon me evakuimin e civilëve.
“Ky është një prej operacioneve ajrore më të mëdha dhe më të vështira në histori”, tha ai ndërsa u zotua për të evakuuar çdo amerikan nga Afganistani.
“I pezulluam fluturimet jashtë Kabulit mëngjesin e kësaj të premteje, për t’u siguruar që të evakuuarit do të vijonin në vendet e tyre të tranzitit”, tha presidenti amerikan, i cili shtoi se fluturimet kishin rinisur. Ai tha po ashtu se vetëm gjatë ditës së djeshme ishin evakuuar 5700 persona.
Më tej, Biden u shpreh se SHBA-të janë në kontakt të pandërprerë me talibanët. Ai tha se grupi militant që kontrollon tashmë vendin është paralajmëruar për një përgjigje të shpejtë dhe të fortë nga SHBA-të nëse ndërmarrin sulme ndaj amerikanëve.
Biden vlerësoi ushtarët amerikanë që ndodhen ende në Afganistan dhe po ndihmojnë në operacionet e evakuimit.
Në aeroportin e Kabulit janë të paktën 5 mijë trupa dhe numri i tyre pritet që të shkojë në 6 mijë përgjatë orëve në vijim.
I pyetur nga gazetarët nëse rënia e Afganistanit ka çuar në humbjen e kredibilitetit të Shteteve të Bashkuara në sytë e botës, ai tha nuk e kisha parë një gjë të tillë të ndodhte.
“Nuk e kam këtë të ndodhë. Në fakt është ekzaktësisht e kundërta”, insistoi ai, duke shtuar se SHBA-të kishin vepruar me vendosmëri përgjatë ditëve të fundit./tvklan.al
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al