Biden në turne për të mbështetur paketën stimuluese

09:10 16/03/2021

Këtë javë Presidenti Joe Biden fillon një turne në mbarë vendin për të mbështetur paketën ekonomike prej 1.9 trilionë dollarësh që parashikon pagesa të drejtpërdrejta për amerikanët. Ndërkohë në Uashington po debatohet për mënyrën e trajtimit të një vale të madhe imigrantësh që po mbërrijnë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris udhëtojnë këtë javë në mbarë vendin për të promovuar paketën stimuluese ekonomike prej 1.9 trilionë dollarësh që ai e nënshkroi në ligj javën e kaluar.

E reklamuar si një nga masat më gjithëpërfshirëse kundër varfërisë në dekada, paketa përfshin 1,400 dollarë pagesa stimuluese për shumë amerikanë dhe një zbritje të re taksash prej 3,600 dollarësh për prindërit për çdo fëmijë.

Asnjë republikan nuk e mbështeti ligjin, duke argumentuar se shuma ishte tepër e madhe dhe e papërcaktuar. ​

“Republikanët duan të sigurohen që njerëzit të marrin vaksinën, fëmijët të kthehen në shkolla, amerikanët të kthehen në punë; ne nuk do të bashkohemi me demokratët ndërsa ata përpiqen të shfrytëzojnë krizën”, tha senatori John Barrosso, republican nga shteti Uajoming.

Demokratët vënë në dukje sondazhet e fundit që tregojnë se shumica e amerikanëve e mbështesin paketën. Një sondazh nga CNN-i, për shembull, tregoi se 61 përqind e të anketuarve e mbështesin ndihmën e lehtësimit.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, tha se mungesa e mbështetjes republikane është vetëm në Uashington.

“Të jeni të sigurtë se të gjitha shtetet dhe komunitetet e tyre do të përfitojnë nga kjo ndihmë, dhe amerikanët nuk do të ankohen për të”, tha zonja Pelosi.

Ndërkohë, në Uashington po debatohet për mënyrën e trajtimit të një fluksi të ri migrantësh në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

Situata ka bërë që palët në Uashington të fajësojnë njëra tjetrën me disa republikanë që thonë se zhbërja nga presidenti Biden e politikave të zbatuara nga ish Presidenti Donald Trump për imigracionin, janë shkaktarë për këtë fluks të ri.

Demokratët argumentojnë se ishin politikat e Trumpit ato që krijuan situatën sot./VOA









Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *