Biden: Putin është një kasap

[embedded content][embedded content]

18:07 26/03/2022

Presidenti amerikan Joe Biden e ka quajtur kasap homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Biden e bëri komentin në përgjigje të pyetjes së një gazetari teksa vizitonte refugjatët ukrainas në një qendër pritjeje në stadiumin kombëtar në Varshavë të Polonisë.

Kjo është një tjetër deklaratë e fortë e presidentit Biden, pas asaj të bërë disa ditë më parë ku cilësonte Putinin si një kriminel lufte.

Por presidenti amerikan nuk u ndal me kaq, pasi gjatë një fjalimi të mbajtur në Kështjellën Mbretërore në Varshavë ai deklaroi me forcë se presidenti rus, Vladimir Putin nuk duhet të jetë më udhëheqësi i vendit të tij.

“Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”, tha Biden teksa deklaratat e tij u përshëndetën nga qindra qytetarë që kishin mbushur sheshin në kështjellën mbretërore, mbrëmjen e së shtunës.

Kjo është deklarata më e fortë e bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat për herë të parë kanë bërë thirrje për ndryshimin e regjimit në Rusi dhe kjo pasqyron një ndryshim të rëndësishëm në qasjen amerikane ndaj Moskës.

Gjatë fjalës së tij Biden iu përgjigj edhe pretendimeve mbi të cilat Rusia nisi sulmin e saj në Ukrainë.

“Një kriminel dëshiron të portretizojë zgjerimin e NATO-s si një projekt perandorak që synon destabilizimin e Rusisë. Asgjë nuk është më larg nga e vërteta. NATO është një aleancë mbrojtëse. Ajo kurrë nuk ka kërkuar shkatërrimin e Rusisë,” tha Biden.

Gjatë qëndrimit të tij në Poloni, Biden u takua këtë të shtunë edhe me homologun e tij polak, Andrej Duda, i cili në një dalje për mediat pas takimit tha se e kishte pyetur presidentin Biden për mundësinë e përshpejtimit të blerjeve ushtarake.

Duda tha se për këtë i referohej blerjeve të sistemeve të raketave Patriot, sistemeve raketore të artilerisë së lartë, avionëve F-35 dhe tankeve Abrams.

Tv Klan

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts