
11:18 23/05/2022
Shtëpia e Bardhë sqaron: Nuk ka ndryshim të politikës ndaj Kinës
Shtetet e Bashkuara janë gati të përdorin forcën për të mbrojtur Tajvanin, nëse sulmohet nga Kina. Këtë e pohoi gjatë vizitës në Tokio, vetë presidenti Joe Biden në përgjigje të pyetjes së gazetarëve.
“Po, e kemi marrë përsipër. Jemi dakord me politikën për një Kinë të vetme, të cilën e kemi nënshkruar. Por ideja se mund të merret me forcë është e papranueshme”.
Megjithatë, Biden tha se nuk priste që Kina të kryente ndonjë sulm në Tajvan. Shtëpia e Bardhë reagoi për të sqaruar komentin e Presidentit amerikan duke thënë se nuk ka asnjë ndryshim në politikën e Shteteve të Bashkuara kundrejt Kinës.
Ministria e Jashtme e Kinës paralajmëroi Uashingtonin të mos ngatërrohet në këtë çështje, në mbrojtje të Tajvanit.
Një deklaratë të ngjashme, Biden e bëri edhe Tetorin e kaluar dhe Shtëpia e Bardhë bëri të njëjtin sqarim. Ndërsa sipas Reuters, analistët i kanë konsideruar deklarata të tilla si “gafa”.
Tensionet në konfliktin më shumë se 7-dekadësh janë rritur vitet e fundit me shtimin e manovrave ushtarake kineze në Detin e Kinës së Jugut.
Tv Klan