Biden shpall planin ndërkombëtar të ndarjes së vaksinave, përfituese edhe Kosova

Shtetet e Bashkuara do të dhurojnë 75 % të dozave të vaksinave, të papërdorura kundër koronavirusit.

Sipas njoftimit të Shtëpisë e Bardhë këto dhurime do të bëhen nëpërmjet programit COVAX, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara. Fillimisht SHBA do të dhurojë 25 milionë doza vaksinash, ndërsa plani është që deri në fund të muajit qershor të shpërndahen 80 milionë doza vaksinash, në mbarë botën. Vetëm 25% e dozave të vaksinave do të mbahen rezervë për raste emergjente në SHBA.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të vepruar me të njëjtën urgjencë, si kemi demostruar në shtëpinë tonë, në përpjekjet ndërkombëtare të vaksinimit”, tha presidenti Biden në një deklartë.

25 milionë dozat e para të vaksinave që do të dhurohen, sipas Shtëpisë së Bardhë, 19 milionë do të shkojnë për programin COVAX. 6 milionë dozat e mbetura do të shpërndahen direkt nga Shtëpia e Bardhë për aleatët dhe partnerët e SHBA. Në këtë listë përfshihet dhe Kosova.

SHBA do të dhurojë vaksina edhe për Kosovën
Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë thuhet se rreth 6 milionë vaksina do të dhurohen për Meksikën, Kanadanë dhe Republikën e Koresë, Bregun Perëndimor dhe Gazan, Ukrainën, Kosovën, Haitin, Gjeorgjinë, Egjiptin, Jordaninë, Irakun dhe Jemenin si dhe për punonjësit e Kombeve të Bashkuara.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shprehu në një postim në rrjetet sociale “mirënjohjen time më të thellë për presidentin e Shteteve të Bashkuara për dhurimin bujar të vaksinave kundër COVID-19 për Kosovën. Njoftimi i sotëm është edhe një shembull tjetër i mbështetjes së palëkundur që vendi ynë ka gëzuar historikisht nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti Biden ka qenë gjithmonë një mik i Kosovës dhe ky dhurim ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon t’i tregojë popullit tonë. Në emër të qytetarëve të Kosovës, faleminderit. Ne vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur në orientimin Euro-Atlantik”, shkroi ajo.

Kosova deri tani ka kryer vaksinimin e 72 mijë e 637 personave me vaksina të dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë si dhe të Bashkimit Evropian.

Javën e kaluar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se Kosova ka kontraktuar mbi një milion e 200 mijë doza të vaksinës së kompanisë Pfizer, që duhet të arrijnë deri në fund të këtij viti, deri kur qeveria thotë se do të vaksinojë 60 për qind të popullsisë.

Deri sot në Kosovë janë regjistruar 107 mijë e 447 të prekur nga koronavirusi nga pasojat e të cilit kanë humbur jetën 2 mijë e 243 veta.

Shtëpia e Bardhë tha se 25 milionë dozat e para do të jenë vaksina nga kompanitë “Pfizer”, “Moderna” dhe “Johnson & Johnson”.

Plani i shumëpritur për dhurimin e vaksinave vjen ndërsa në SHBA më shumë se 63% e të rriturve kanë marrë të paktën një doze dhe pasi pabarazitë globale në furnizimin me vaksina janë bërë më të dukshme.

Presidenti Biden është zotuar se do të ndihmojë kombet e tjera me 60 milionë dozat e prodhuara në vend të vaksinës nga kompania AstraZeneca. Kjo vaksinë ende nuk është autorizuar për përdorim në SHBA, por është e aprovuar gjerësisht në të gjithë botën./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *