Biden shton një tjetër festë federale, “Juneteenth” bëhet ligj në SHBA

19 qershori iu shtua festave kombëtare në Shtetet e Bashkuara, pasi Presidenti Joe Biden e nënshkroi atë në ligj të enjten. Por afrikano-amerikanët e kanë festuar këtë ditë që nga viti 1865 kur skllevërit e fundit të robëruar mësuan se kishin fituar lirinë e tyre, dy vjet e gjysmë pasi Presidenti Abraham Lincoln nënshkroi Proklamatën e Emancipimit. 19 qershori ka qenë gjithashtu një ditë për të reflektuar ndaj luftës së afrikano-amerikanëve për liri dhe drejtësi dhe për t’u mësuar brezave të rinj historinë e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mariama Diallo njofton.

Në të gjithë Amerikën, njerëzit kanë festuar Juneteenth, apo Ditën e Lirisë, çdo vit që nga 19 qershori i vitit 1865. Kelly Elaine Navies është specialiste dhe historiane në Muzeun Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane në Uashington.

“Më 19 qershor të vitit 1865, Gjenerali Gordon Granger mbërriti në Galveston të Teksasit, me gati 1,800 trupa të Unionit, shumë prej të cilëve ishin në të vërtetë njerëz me ngjyrë dhe shpallën urdhrin që deklaronte se skllavëria kishte përfunduar ligjërisht dhe se të gjithë robërit ishin të lirë. Kjo ishte e rëndësishme sepse megjithëse Proklamata e Emancipimit ishte nënshkruar më 1 janar të vitit 1863, ajo në të vërtetë ishte zbatuar vetëm në shtetet e Konfederatës, dhe më pas vetëm në shtetet ku kishte një prani të Unionit”, shpjegon historiania.
Zonja Navies thotë se kur ishte fëmijë, babai i saj, i cili ishte mësues, e bëri traditë festimin e Ditës së Lirisë, Juneteenth në familjen e tyre.

“Ai ftonte jo vetëm nxënësit e tij të Shkollës së Mesme Berkeley, por gjithashtu miq të familjes dhe anëtarë të komunitetit. Organizonim një program që ndërthurrte bisedat mes gjeneratave. Fëmijët interpretonin dhe lexonin poezi, hidhnin valle dhe këndonin. Më të rriturit tregonin histori nga përvojat e tyre të të qenurit me ngjyrë në Amerikë”, thotë Kelly Navies.

Juneteenth ka qenë festë në pothuajse të 50 shtetet amerikane dhe Distriktin e Kolumbias. Vitin e kaluar, në vazhdën e milionave njerëzve që demonstruan kundër padrejtësive racore pas vrasjeve të George Floyd-it, Breonna Taylor-it dhe të tjerëve, një grup dypartiak u përpoq që Kongresi ta njihte 19 qershorin si një festë federale.

Të enjten, pas më shumë se 150 vjetësh, Juneteenth u bë festa më e re federale përmes një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë pas një projekt-ligj të miratuar në fillim të kësaj jave në Kongres.

“Është një festë e emancipimit të afrikano-amerikanëve që ishin të skllavëruar, por është gjithashtu një ditë përkujtimi. Mezi pres të shoh jo vetëm njohjen e saj si festë federale, por të shoh edhe se si do të festohet kjo ditë, si do të përdoret ajo si mjet edukimi për njerëzit dhe si mund të na sjell në fund të fundit më pranë asaj që synonte të sillte emancipimi, që është liria për të gjithë. Mendoj se mund të jetë një zhvillim pozitiv për të gjithë ne”.

Por Justin Hansford, profesor i drejtësisë në Universitetin Howard, vë në dukje gjithashtu ndryshimin mes asaj që ndodhi të martën në Uashington dhe ngjarjeve aktuale në shtetin e Teksasit.

“Në të njëjtën ditë që u miratua ligji në Senat, shteti i Teksasit, nga ku fillon rrugëtimi i kësaj feste (Juneteenth), miratoi ligjin që ndalon mësimin e Projektit 1619,(i cili synon të vendosë pasojat e skllavërisë dhe kontributet e amerikanëve me ngjyrë në qendër të historisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara) duke ndaluar kështu mundësinë për të mësuar rreth historisë së skllevërve në Amerikë. Pra, është pothuajse qesharake kur miraton një ligj që njeh një moment të rëndësishëm në historinë e amerikanëve me ngjyrë dhe në të njëjtën kohë, në të njëjtën ditë, shteti ku ndodhi ai incident miraton një ligj që ndalon mësimin e historisë së afrikano-amerikanëve”, thotë profesor Hansford.

Ligji HB 3979 u mbështetet nga ligjvënësi i shtetit të Teksasit Steve Toth, i cili tha në një intervistë për revistën National Review se, “Faktet janë shumë të qarta, shumë të sakta, ne nuk ndalojmë apo dekurajojmë diskutimin e asgjëje”.

Por profesori Hansford thotë se është e rëndësishme të kuptohet se ekziston një lidhje mes festës Juneteenth dhe ndalimit të disa mësimeve të caktuara.

“Të mos harrojmë se historia e festës Juneteenth është historia e skllevërve që u liruan, por njohja e lirisë së tyre, vetëdija për lirinë, atyre iu mohua. Edhe sot në të njëjtën kohë, ne shohim të njëjtin mohim të qasjes ndaj informacionit, mohim ky që është shkruar në ligj në shtetin e Teksasit, Floridës dhe shtete të tjera që po miratojnë këto ligje kundër teorisë kritike ndaj racës”, thotë zoti Hansford.

Teoria kritike ndaj racës, sipas profesorit Hansford, është “një fushë studimi që kërkon të zbulojë mënyrën se si raca luajti një rol qendror në mënyrën e strukturimit të shoqërisë amerikane”. Ndërsa është debatuar nga akademikët që nga vitet 1970, ajo është bërë një çështje politike vetëm kohët e fundit.

Javën e kaluar, Bordi i Arsimit në Florida e ndaloi mësimin e kësaj teorie në shkollat e saj publike.

“Mendoj se kjo teori bën që njerëzit të mendojnë për veten e tyre më shumë si pjesëtarë të një race të caktuar bazuar në ngjyrën e lëkurës sesa bazuar në përmbajtjen e karakterit të tyre”, thotë Ron DeSantis, guverantor i shtetit të Floridas.

Në Lisburg të Virxhinias, fundjavën e kaluar, u organizua një tubim kundër mësimdhënies të teorisë kritike të racës.

Aktivistja Patti Menders kundërshton mësimin e anti-racizmit që ajo beson se i bën fëmijët e bardhë ta shohin veten si “shtypës”.

Por ndërsa programi mësimor është një temë e nxehtë debatesh, festa federale Juneteenth u bë tashmë ligj.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *