Biden: Spitalet e Gazës duhet të mbrohen

00:00 15/11/2023

Të martën autoritetet palestineze propozuan evakuimin nën mbikëqyrjen e Kryqit të Kuq të mbi 30 foshnjeve që ndodhen në spitalin e Al Shifës në Gazë, i cili prej disa ditësh ka qenë epiqendër e luftimeve. Ata thanë se armëpushimi do të ishte mënyra e vetme për t’i shpëtuar të sapolindurit.

Dje në mbrëmje Presidenti Joe Biden u tha gazetarëve në Shtepinë e Bardhë se spitalet në Rripin e Gazës “duhet të mbrohen”.

Këto ishin komentet e para të presidentit amerikan që nga zhvillimet në fundjavë, përfshirë njoftimet për vdekjet e pacientëve në spitalin Al Shifës.

Presidenti Biden tha se Uashingtoni vazhdon të jetë në kontakt me zyrtarët izraelitë dhe se po bëhen gjithashtu përpjekje “për të siguruar pauza me synim lirimin e pengjeve në bashkëpunim edhe me Katarin”.

Izraeli akuzon Hamasin se po i përdor spitalet si vendstrehime për luftëtarët e tij dhe thotë se militantët kanë ngritur qendrën e tyre kryesore komanduese brenda dhe poshtë spitalit të Al Shifës. Izraeli thotë se disponon informacione zbulimi që mbështesin këto pohime, por nuk ka ofruar prova vizuale për t’i mbështetur ato.

Luftëtarët e Hamasit i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer 240 pengje, sipas zyrtarëve izraelitë.

Deri më tani janë liruar katër pengje.

Ndërkohë, në një komunikatë për media të Shtëpisë së Bardhë të dielën, Bideni e dënoi “qartazi” mbajtjen e pengjeve nga Hamasi, përfshirë të fëmijëve të rinj, njëri prej të cilëve është një tre vjeçar amerikan, prindërit e të cilit u vranë nga grupi radikal më 7 tetor.

Familjet e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në Rripin e Gazës e nisën një marsh pesëditor të martën, nga Tel Avivi në Jerusalem, për t’i kërkuar Qeverisë të bëjë më shumë për lirimin e tyre.

Në Uashington, e planifikuan një “marsh për Izraelin” të martën pasdite, pas protestave të mëdha nëpër SHBA dhe botë kundër fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë.

Mbi 11.000 palestinezë, rreth 40% fëmijë, janë vrarë si pasojë e bombardimeve izraelite në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi./VOA

Të ngjashmeBurimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts