
09:56 12/02/2022
Gjysma e tyre do shkojnë si ndihma për Afganistanin, pjesa tjetër kompensim për viktimat e 11 Shtatorit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të zhbllokuar rreth 7 miliardë dollarë të rezervave afgane, që ishin ngrirë pasi talibanët morën kontrollin e shtetit gushtin e vitit të kaluar.
SHBA-ja do të krijojë një fond në muajt në vazhdim, që do të administrojë gjysmën e 7 miliardë dollarëve, thanë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.
Pjesa e mbetur prej 3.5 miliardë dollarëve do të qëndrojë në SHBA dhe do të përdoret për të financuar dëmshpërblimin e viktimave amerikane të terrorizmit, përfshirë edhe për pretendimet ndaj talibanëve nga familjet e viktimave të sulmeve të 11 Shtatorit të vitit 2001 në SHBA.
Biden tha se rezervat e Bankës Qendrore të Afganistanit, që mbahen në institucionet financiare amerikane, do të përdoren për të “adresuar emergjencën kombëtare dhe mirëqenien e popullit të Afganistanit”.
Në urdhrin ekzekutiv të Bidenit theksohet se “kriza e madhe humanitare në Afganistan – përfshirë nevoja urgjente për siguri të ushqimit të popullit të Afganistanit, mbështetjen jetësore, të ujit, të shëndetësisë, higjienës, strehimit dhe mbështetjen e vendbanimeve, mbështetjen e lidhur me COVID-19 dhe nevoja të tjera bazike njerëzore”.
Shtëpia e Bardhë është përballur me presion për të zhbllokuar fondet për të ndihmuar afganët, të cilët po përballen me krizë ekonomike dhe financiare, që po kërcënon mbi gjysmë e popullsisë me uri.
Afganistani ka mbi 9 miliardë dollarë rezerva, përfshirë edhe mbi 7 miliardë dollarë rezerva që mbahen në SHBA. Pjesa tjetër e rezervave gjenden në Gjermani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Zvicër dhe Katar. Talibanët pritet të jenë kundër vendimit të presidentit Biden.
Klan News
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al