BIRN: Bashkitë ndaluan pagesat ndaj koncesionarit të mbetjeve pak muaj para sekuestrimit nga SPAK

birn bashkite ndaluan pagesat ndaj koncesionarit te mbetjeve pak muaj para sekuestrimit nga spak
birn bashkite ndaluan pagesat ndaj koncesionarit te mbetjeve pak muaj para sekuestrimit nga spak

Bashkia e Tiranës dhe bashkitë e tjera të qarkut i ndaluan pagesat ndaj Integrated Energy BV SPV pak muaj para se ajo të vendosej me vendim gjykate nën administrim publik. Administratori publik u ankua se kjo mund të sillte kaos në menaxhimin e mbetjeve të qarkut.

Pavarësisht se pronarët ‘de fakto’ të kompanisë ‘Integrated Energy BV SPV’, e cila ka koncesionin kontravers të menaxhimit të mbetjeve në Tiranë, janë në arrati prej 16 muajsh, nën akuzë për pastrim parash dhe korrupsion, qeveria dhe kryeministri Edi Rama, e justifikuan vijimin e pagesave me pretendimin se po zbatonin kontratën.

“Janë marrëdhënie kontraktuale të cilat imponohen nga ligji për të vazhduar deri kur të ketë vendime të formës së prerë nga gjykatat,” tha Rama në një konferencë për shtyp në prag të Vitit të Ri 2022.

Por tre muaj para se kompania, që sipas SPAK kontrollohet nga biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të sekuestrohej dhe kalonte në administrim publik me vendim të Gjykatës së Posaçme,  bashkitë e qarkut Tiranë i ndaluan pa shpjegim pagesat. Të dhënat nga Thesari tregojnë se bashkia e Tiranës dhe bashkite e tjera të qarkut kanë paguar të fundit faturën e muajit prill 2023 duke u bërë debitore në landfill.

“Bashkitë e qarkut Tiranë janë akoma debitorë te kjo shoqëri, po bëhet muaj i tretë që nuk kanë shlyer detyrimet”, tha Arjan Baci, administrator i Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara në një dalje për mediat. Baci paralajmëroi se kjo cënonte menaxhimin e mbetjeve të kryeqytetit dhe bashkive rreth tij. “Mos zbatimi i kësaj kontrata do të sillte një kaos në menaxhimin e gjithë mbetjeve urbane në qarkun e Tiranës”, tha ai, ndërsa refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të tjera, duke pretenduar se ende nuk kishte informacionin e duhur.

Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj deri në publikim e këtij shkrimi pyetjeve të BIRN se cilat ishin arsyet pas ndalimit të pagesave ndaj kompanisë edhe caktimit të saj nën administrim publik. Kryebashkiakët e Kavajës, Kamzës e Vorës po ashtu nuk iu përgjigjën pyetjeve.

Kompania Integrated Energy BV SPV u themelua në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë, ka faturuar qytetarët shqiptarë në mënyra të ndryshme, përfshirë përmes sistemit fiskal për qeverinë apo përmes tarifave të detyrueshme për depozitim mbetjesh. Të dhënat e bilancit të kompanisë të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se mes viteve 2017 dhe 2021, qytetarët i paguan Integrated Energy BV së paku 7.9 miliardë lekë në formën e tarifave koncesionare dhe tarifave të shërbimit të depozitimit. Duke marrë parasysh këtë, dhe të ardhura të tjera që kompania faturon për depozitimet, deri në kohën e sekuestrimit në gusht 2023, fusha e mbetjeve të Tiranës duket se u ka kushtuar taksapaguesve minimalisht 100 milionë euro.

Pasi sekuestroi projektet simotra në Elbasan dhe Fier,  Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit urdhëroi më 1 gusht 2023 edhe  sekuestrimin preventiv edhe të kompanisë që operon kontratën kontroverse të menaxhimit të mbetjeve dhe duhej të ndërtonte inceneratorin e Tiranës. Prokuroria njoftoi se hetimi paraprak kishte zbuluar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit e Tiranës, Durrësit e bashkive fqinje me të./reporter.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts