Bjellorusia me ndryshime kushtetuese që mund t’i japin imunitet Lukashenkas

bjellorusia me ndryshime kushtetuese qe mund ti japin imunitet lukashenkas
bjellorusia me ndryshime kushtetuese qe mund ti japin imunitet lukashenkas

23:10 27/12/2021

Në Bjellorusi, lideri autoritar Alyaksandr Lukashenka, ka propozuar disa amendamente kushtetuese që përfshijnë edhe imunitet për të nga ndjekja penale dhe kufizimet për mandatin e presidentëve, si dhe shpërndarjen e pushteteve kushtetuese, që do të forconin rolin e Asamblesë Mbarëpopullore të Bjellorusisë.

Lukashenka ka thënë se ndryshimet kushtetuese, që fillimisht ishin raportuar nga agjencia shtetërore e lajmeve BelTA më 27 dhjetor, do të votohen në një referendum që do të mbahet në shkurt të vitit 2022.

Kundërshtarët e tij kanë thënë se ndryshimet kushtetuese janë tentim për të kapur shtetin, pasi opozita, përmes protestave, ka refuzuar që të njohë fitoren e Lukashenkas në zgjedhjet presidenciale të mbajtura në gusht të vitit të kaluar. Opozita thotë se rezultati zgjedhor është manipuluar.

Sipas amendamenteve të reja, ndalohet që një person të kandidojë për president nëse i njëjtë është larguar përkohësisht nga vendi. Ky ndryshim duket se ka në cak anëtarët e opozitës që veçse janë larguar nga Bjellorusia për shkak të frikës gjatë shtypjes së dhunshme të protestave që pasuan zgjedhjet presidenciale.

Një prej ndryshimeve të propozuara po ashtu thotë se Qeveria nuk mund të nisë ndonjë agresion ushtarak.

“Presidenti zgjidhet me një mandat pesëvjeçar direkt nga populli bjellorus, bazuar në zgjedhje të lira, të barabarta dhe përmes votës së fshehtë. Askush nuk mund të jetë president për më shumë se dy mandate”, thuhet në dokument.

Aktualisht, Lukashenka është në mandatin e tij të gjashtë me radhë si lider i vendit. Në dokument, megjithatë nuk u tha nëse Lukashenkas do t’i ndalohet që të garojë sërish në zgjedhje apo nëse kufizimi prej dy mandatesh do të aplikohet tash e tutje.

Lukashenka udhëheq me Bjellorusinë që prej vitit 1994 dhe ka mohuar se zgjedhjet e vitit 2020 kanë qenë të manipuluara. Ai madje ka refuzuar që të negociojë me opozitën për transferimin e pushtetit apo të thërrasë zgjedhje të reja.

Në të kaluarën ai ka lënë të kuptohet se mund të largohet nga pushteti nëse bëhen ndryshime kushtetuese, por muajve të fundit ai nuk e ka përmendur një mundësi të tillë.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera po refuzojnë që ta njohin Lukashenkan si lider legjitim të Bjellorusisë dhe kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, në përgjigje të shtypjes së protestave./REL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts