
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e quajti “inkurajues” faktin që presidenti turk Recep Tajip Erdogan ka nënshkruar protokollet e pranimit të Suedisë në NATO dhe i ka dërguar ato në Parlamentin turk për ratifikim.
“Është shumë inkurajuese që Erdogan nënshkroi protokollet dhe i dërgoi në Parlament. Turqia e ka këtë angazhim dhe ne presim që (ratifikimi) të vijë së shpejti”, tha Blinken duke folur me gazetarët në aeroportin e Ankarasë përpara se të largohej nga Turqia.
Ndërkohë, Blinken preku edhe çështjen e Gazës.
“Ne po punojmë në të gjitha frontet për pauza humanitare në Gaza, por gjithashtu duhet të ketë progres edhe për lirimin e pengjeve, diçka që është padyshim e rëndësishme për Izraelin”, tha Blinken.
“Ne po punojmë për ndihmën humanitare por edhe për lirimin e pengjeve. Jam i bindur se mund të bëjmë ende shumë dhe se ka shpresë për lirimin e tyre”, shtoi ai.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan theksoi nevojën për të shpallur një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës gjatë bisedimeve me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Ankara.
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al