Bogdani konfirmon ambicien për të kandiduar për Bashkinë Tiranë: Nëse lidershipi i PD do ta vlerësonte të arsyeshme, nuk do t’i thosha jo





MARIGLEN KUME/ Anëtari më i votuar i kryesisë së Partisë Demokratike, Gert Bogdani, konfirmon  ambicien e kandidimit për Bashkinë e Tiranës përballë Erjon Veliajt në zgjedhjet e ardhshme.

Bogdani

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Bogdani theksoi se emri i tij ishte propozuar nga anëtarësia e Tiranës për të qenë kandidat për Bashkinë e kryeqytetit një vit më parë, kur u zhvillua procesi i selektimit të kandidatëve. Ndërkohë, ai shprehet i gatshëm që nëse Basha do të mendonte njësoj si anëtarësia e Tiranës, të ndërmerrte sfidën për të rimarrë Tiranën.

Duke shpjeguar dy komponentët e bërjes politikë, takimet me bazën dhe politika me publicitet, Bogdani shprehet se pas votëbesimit të këshillit kombëtar, do të jetë më aktiv  edhe publikisht jo vetëm me bazën. I pyetur nëse përjashtimi i kritikëve ishte një hakmarrje për shkak se kanë qenë zëra kundër lidershipit, Bogdani tha se ishte vullnet i anëtarësisë së këshillit që vendosën në mënyrë të tillë dhe jo e lidershipit.

Z. Bogdani, nga 42 kandidatët ju jeni shpallur anëtari i kryesisë së PD më i votuar nga Këshilli Kombëtar, jeni i surprizuar nga kjo mbështetje, e prisnit një rezultat të tillë?

Më lejoni që ta filloj duke shprehur mirënjohjen time të thellë për të gjithë anëtarët e  Këshillit Kombëtar për vlerësimin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme qe më dhanë  me votën e tyre. Unë kam punuar gjithmonë me përkushtim dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me bazën e Partisë Demokratike, duke ngritur gjithmonë zërin e çdo anëtari që e do Partinë Demokratike dhe duke u munduar të përfaqësoj sa më mirë vlerat e saj. Ky vlerësim është një përgjegjësi më shumë dhe një privilegj për të qenë zëri i tyre.

Vitet e fundit keni qenë pa një post në Partinë Demokratike. Tashmë që do të jeni pjesë e kryesisë, do të ketë një prezencë më të shtuar tuajën në politikë?

Pavarësisht pozicionit apo jo, unë besoj fort se puna reale duhet të jetë në bazë dhe  pranë anëtarësisë dhe qytetarëve, dhe kjo ka qenë e vazhdueshme e pa ndërprerje.  Besoj se politika ka dy komponentë të rëndësishëm: prezencën në terren dhe prezencën publike. Ndërkohë që kjo e para ka qenë pa ndërprerje, besoj është koha për të shtuar edhe të dytën.

Ndonëse nuk keni pasur një emërim qoftë në PD apo në Kuvend, ju keni qenë shumë aktiv në denoncimet për Bashkinë e Tiranës. E synoni ju z. Bogdani që në zgjedhjet e ardhshme  lokale të jeni kandidati i PD-së për kryeqytetin? Do të punoni ju për një sfidë të tillë tashmë që keni edhe mbështetjen e Këshillit Kombëtar të PD-së? 

Sfida më e rëndësishme e  radhës e Partisë Demokratike janë pa diskutim zgjedhjet lokale në tërësi e ato për Bashkinë e Tiranës në veçanti. Ka ardhur koha t’i jepet  fund keqqeverisjes, sidomos asaj të kryeqytetit, që ka vështirësuar jetën e çdo qytetari, të djathtë e të majtë! Në këtë kuadër dhe duke marrë parasysh faktin se gjatë procesit të propozimeve nga baza pjesa më e madhe e anëtarësisë së Tiranës e kanë propozuar emrin tim për Bashkinë  e Tiranës, nëse lidershipi i  PD-së do ta vlerësonte të arsyeshme këtë gjë, pa diskutim që nuk do t’i thosha jo  kësaj sfide.

Gjatë gjithë jetës sime, si politike ashtu dhe  jashtë politikës, i kam pranuar gjithmonë sfidat, pavarësisht vështirësive të tyre, dhe kam punuar me përkushtim për t’ia dalë me sukses, me vizionin për një të ardhme më të mirë për çdo shqiptar! Në këtë rast përgjegjësia dhe detyra do të ishte edhe me e rëndësishme, sepse realisht Tirana meriton më shumë dhe është në  një pikë në të cilën po shkatërrohet në çdo detaj.

Këtë javë u emëruan sekretarët dhe nënkryetarët e rinj të PD-së. Vërehet një zgjerim i ekipit. Pra të nr. të sekretarive, nënkryetarëve. Sipas jush, një skemë e tillë është më e dobishme për të forcuar PD-në apo është një tentativë e lidershipit për të kënaqur të gjithë?

Jam i mendimit që një ekip më i gjerë sjell një parcelizim më të madh, pra një zvogëlim të detyrave dhe përgjegjësive e për rrjedhojë, një efikasitet më të madh. Është skemë e  njohur dhe e përdorur gjerësisht nga partitë tona simotra nëpër botë dhe nuk ka për  qëllim kënaqësitë e njërit apo tjetrit, por rritjen e efikasitetit dhe eficencës së punës dhe rezultateve.

Në kryesinë e re nuk do të jenë më Z. Kadilli, Bozdo, Nishani, apo edhe Agron Shehaj, që nuk u zgjodhën të hënën. Është Partia Demokratike (njerëzit e saj) hakmarrëse ndaj atyre që dalin me zërin ndryshe nga orientimi i lidershipit?

Dje nuk votoi lidershipi i Partisë Demokratike, në sensin e ngushtë të fjalës, por anëtarësia e gjerë e Këshillit Kombëtar. Një proces i hapur ku çdo votë është numëruar rigorozisht, ndaj nuk do ta shihja si një proces hakmarrjeje, por si një proces ku anëtarët kanë zgjedhur ata që mendojnë se duhet t’i përfaqësojnë në ekipin e kryesisë së re.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *