Borrell mirëpret sanksionet amerikane ndaj serbëve të Kosovës: Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon për sigurinë dhe përmirëson sundimin e ligjit në rajon

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, mirëpriti sanksionimin e disa serbëve nga Kosova, të cilët, sipas Shteteve të Bashkuara janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar.

Ai tha se vendosja e sanksioneve ndaj disa serbëve nga Kosova, është hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, tha Borrell.

Në të kaluarën, Bashkimi Evropian disa herë kishte tërhequr vërejtjen se veriu i Kosovës është zonë e cila paraqet sfidë të veçantë sa i përket krimit të organizuar.

Por, kur Policia e Kosovës kishte dërguar në veri njësitë e saj speciale, në një operacion kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, BE-ja ishte shprehur se duhet të evitohen “veprimet e njëanshme që çojnë deri te rritja e tensioneve”, duke thënë se për operacionin policor 13 tetorit, “nuk ka pasur koordinim”.

Më 8 dhjetor, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë futur në listën e sanksioneve: Millan Radoiçiç, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviç, Srgjan Vulloviç, Zhelko dhe Andrija Bojiç, si dhe Radulle Steviç – të gjithë serbë nga Kosova.

Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Sipas SHBA-së, grupi i Vesellinoviçit është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit të SHBA-së, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *