Bota “mban frymën” për Italinë/ Përfundon votimi për zgjedhjet parlamentare, pjesëmarrja zhgënjyese, vetëm 51.16% e popullatës i është drejtuar kutive

Në zgjedhjet e përgjithshme që zhvillohen ditën e sotme, pothuajse 51 milionë italianëve me të drejtë vote u është bërë thirrje për t’u drejtuar kutive, në mënyrë që të vendosin për fatin e vendit dhe stabilitetin në katër vitet e ardhshme, mes shumë ndryshimeve në ligjin elektoral të vendit.

Mbi 400 gazetarë dhe ekipe të akredituara nga e gjithë bota janë grumbulluar në sallën e “Hotel Parco dei Principi”, i zgjedhur nga “Vëllezërit e Italisë’, kandidatja për kryeministre e të cilëve, Giorgia Meloni është favorite për të marrë drejtimin e Italisë.

Në sallën e shtypit dominon një ekran i madh, në pritje të exit-polleve dhe votimit të Melonit, e cila ndryshe nga të gjithë liderët e tjerë të partive kryesore në Itali ka zgjedhur të votojë e fundit, në mbyllje të orarit zyrtar që është 23:00.

Ndërkohë sa i përket liderëve të tjerë, votimet u hapën nga Presidenti i Republikës Sergio Mattarella mëngjesin e sotëm në orën 8.45, në shkollën Giovanni XXIII – Piazzi të Palermos.

Kreu i shtetit votoi, si zakonisht i përshëndetur me duartrokitje nga drejtuesit dhe të pranishmit.

Lideri i Lega Nord, Matteo Salvini, votoi në Milano. Duke u larguar ai u tha gazetarëve se ditën e votimit do ta kalojë me vajzën e tij në fermë. “Unë llogaris që Lega Nord është forca parlamentare në podium, e para, e dyta apo maksimumi e treta”, tha Salvini.

Atyre që e pyetën nëse vendi i katërt do të ishte humbje, ai iu përgjigj duke thënë: “Unë luaj për të fituar, jo për të marrë pjesë”.

Në radhë për të votuar në Milano ishte edhe lideri historik i “Forza Italia”, Silvio Berlusconi, i cili zbuloi nga kutia e votimit se kohët e fundit kishte pasur një aksident që mund të kishte pasoja të rënda për të.

Italian General Election 2022
Italian General Election 2022

Më pas, ish-kryeministri 86-vjeçar fshiu repertorin e komenteve për drejtuesit e tjerë, me klasiken: “Nuk ka asnjë nga këta drejtues që ka punuar ndonjëherë, por për kë votojmë? Unë jam i vetmi që kam punuar, idioti jam unë”.

Ndërkaq, një tjetër ish-kryeministër dhe njëherësh lideri i “Italia Viva”, Matteo Renzi votoi në Firence në shkollën Villani. Së bashku me Renzin ka votuar edhe bashkëshortja e tij Agnese Landini.

Renzi dhe gruaja e tij shoqëroheshin nga Francesco Bonifazi, senator në largim i Iv-së dhe kandidat për Polin e Tretë, i cili gjithashtu votoi në të njëjtën qendër votimi.

Pasditen e sotme rreth orës 16:50 iu drejtua qendrës së tij të votimit në shoqërinë e bashkëshortes edhe kryeministri i dorëhequr Mario Draghi.

Draghi hodhi votën në kutitë e votimit në shkollën e mesme “Goffredo Mameli”, në Romë, ndërsa gazetarët nxituan t’i merrnin një mendim për ecurinë e procesit por ai refuzoi që të bënte një deklaratë.

Sekretari i Partisë Demokratike Enrico Letta votoi mëngjesin e sotëm në vendin e tij, në institutin De Amicis / Cattaneo në via Galvani, në lagjen Testaçio të Romës.

“Votoni, votoni lirshëm, pa kushte dhe pa frikë. Italia është gjithmonë më e fortë se ata që e duan të dobët”, deklaroi në krahun tjetër kreu i “Action” Carlo Calenda, i cili mëngjesin e sotëm votoi në Romë së bashku me gruan e tij Violante Guidotti Bentivoglio.

113946338 3661a402 1567 49a7 84c0 F38a28ea8047
113946338 3661a402 1567 49a7 84c0 F38a28ea8047

Sa i përket “Lëvizjes 5 Yje”, udhëheqësi Giuseppe Conte votoi gjithashtu ndër të parët.

Ndërkohë, mediat italiane raportojnë se në zgjedhje deri në orën 19.00 votuan 51.16% e atyre që kishin të drejtë vote, në shifrat e Ministrisë së Brendshme që i referohen gjithsej 7904 qëndrave të votimit.

Duke i krahasuar shifrat me zgjedhjet e fundit politike të vitit 2018, pjesëmarrja rezulton të jetë më e ulët pasi asokohe kanë votuar 58.40% e qytetarëve.

Ndër rajonet me pjesëmarrjen më të lartë, megjithëse gjithmonë më të ulët në krahasim me zgjedhjet e fundit, janë: Lombardia (58,81% kundrejt 62,81); Toskana (58,07% kundrejt 63,87%); Emilia Romagna (59.80% kundrejt 66.98%); Lacio (53.18 kundrejt 54.47).

Ndër ato me pjesëmarrje më të ulët janë: Basilicata (41,27% kundrejt 53,13%); Campania (38.72% kundrejt 52.52%); Molise (44,04% kundrejt 56,46%); Kalabria (36.92% kundrejt 49.64%) dhe Sardenja (40.48% kundrejt 52.20%).

Ndërkohë, shifra përfundimtare e pjesëmarrjes do të publikohet në orën 23:00, pas mbylljes së qendrave të votimit. Në mbyllje të qendrave të votimit do të transmetohen edhe exit poll-et e para, por duhet pritur për të ditur projeksionet dhe rezultatet përfundimtare.

Ndërkohë, sytë e botës, jo vetëm të vendeve evropiane, janë përqendruar te rezultati i këtyre zgjedhjeve, të cilat po zhvillohen në mes të një krize ndërkombëtare ekonomike të paprecedentë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *