Brexiti ka përkeqësuar mungesën e mjekëve

07:54 29/11/2022

Edhe para Brexit-it, Britania ishte e varur nga punonjësit e kujdesit shëndetësor nga shtetet evropiane.

Sipas një studimi të fundit, Brexit-i e ka bërë mungesën e madhe të mjekëve në Britani më të rëndë se sa pritej. Sipas një studimi të grupit të ekspertëve Nuffield Trust, në Mbretërinë e Bashkuar punojnë aktualisht më shumë se 4000 mjekë evropianë më pak sesa pritej përpara Brexit-it. Këtë studim e pati porositur gazeta Guardian.

Sipas studimit, rritja e numrit të personelit nga vendet e BE dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) është ‘ngadalësuar’ dhe ndodhet “nën rritjen e pritur’. Vendet e EFTA-s përfshijnë Norvegjinë, Zvicrën, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Mungesë më e madhe në personelin infermieror

Vitin e kaluar, në Mbretërinë e Bashkuar punuan rreth 37.000 mjekë nga vendet evropiane. Pa Brexit-in, numri i tyre do të kishte qenë rreth 41300, thuhet. Specialitetet më të prekura janë anestezia, pediatria, kardiokirurgjia dhe psikiatria.

Sipas raportit, Brexit-i ka një ndikim edhe më të madh tek infermierët që vijnë në Britani nga vende të tjera evropiane. Aktualisht ka 29.000 infermierë – por pa Brexit do të ishin 87.000 sipas parashikimeve. Në vitin financiar 2021/22, vetëm një e katërmbëdhjeta e stafit evropian hynë në Britaninë e Madhe në krahasim me 2015/16. Megjithatë, numri i profesionistëve nga vende të tjera, si India dhe Filipinet, është rritur ndjeshëm.

Kosto të larta dhe burokraci

Studiuesit e shohin “arsyen më të dukshme për ndryshimin e tendencës në 2015 dhe 2016” në rezultatin e referendumit të Brexit-it. Për shkak të daljes së Britanisë nga BE, profesionistët tani kanë nevojë për viza pune, e cila kërkon kosto të larta dhe shumë burokraci.

Rezultatet e studimit tani do të tregojnë se “stanjacioni i numrit të mjekëve në BE” ka përkeqësuar mungesën ekzistuese në zonat ku Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) nuk ka qenë në gjendje “të gjejë personel të mjaftueshëm të kualifikuar”.

Studimi vjen në një kohë kur NHS, në krizë, po përballet me shumë mosfunksionime pas viteve të nënfinancimit. Përveç mungesës së personelit mjekësor, kujdestarëve dhe infermierëve, pjesë e kësaj janë edhe pritjet e gjata për trajtime të caktuara spitalore për shkak të pandemisë korona.

Në këtë rënie ka kontribuar edhe “përkeqësimi i kushteve të punës” në sistemin shëndetësor. Shërbimi shëndetësor NHS i Britanisë është i financuar keq dhe me staf të pamjaftueshëm. Vetëm në Angli ka një mungesë prej më shumë se 10.000 mjekësh. Prandaj, sistemi shëndetësor britanik ishte i varur nga stafi i BE përpara Brexit-it.

Ministria britanike e Shëndetësisë kundërshton

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë e Britanisë së Madhe i hodhi poshtë rezultatet e studimit. “Kjo analizë është e pasaktë dhe ne nuk i njohim apo pajtohemi me përfundimet e saj kryesore,” tha një zëdhënës i ministrisë, cituar nga Guardian. Nga ana tjetër, “është bërë përparim i dukshëm në trajnimin dhe rekrutimin” e personelit mjekësor. Madje sipas Ministrisë tani ka më shumë personel sesa në vitin 2016. /DW

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *