
18:20 29/08/2023
Shkak është bërë një problem teknik në sistemet e kontrollit të trafikut ajror
Mijëra pasagjerë janë përballur me vonesa dhe anulime fluturimesh në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Shkak për këtë është bërë një problem teknik që ka prekur sistemet e kontrollit të trafikut ajror. Pavarësisht se problemi u zgjidh pas disa orësh kompanitë ajrore paralajmëruan për ndërprerje të fluturimeve që mund të zgjasin edhe me ditë.
Më shumë se një e katërta e të gjitha fluturimeve në Mbretërinë e Bashkuar u ndërprenë të hënën ndërsa edhe këtë të martë vonesat dhe anulimet e fluturimeve vijuan.
Për ngjarjen ka reaguar edhe qeveria britanike e cila ka deklaruar se problemet teknike nuk janë shkaktuar nga sulme kibernetike ndërsa për të përcaktuar saktësisht shkakun është ngritur edhe një hetim.
Aeroportet dhe linjat ajrore u detyruan t’u kërkonin falje udhëtarëve për vonesat dhe anulimet dhe në disa raste u kanë ofruar pasagjerëve rimbursim të plotë.
Aktualisht, qeveria britanike po punonte me linjat ajrore për të ndihmuar që pasagjerët e bllokuar në aeroportet anembanë Evropës të mund të kthehen në shtëpi.
Klan News