Britani, konservatorët e kryeministrit Johnson pësojnë humbje në zgjedhje

Partia Konservatore e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka pësuar një disfatë shokuese në zgjedhjet e pjesshme parlamentare që ishte një referendum për qeverinë mes një skandali disa javësh dhe rritjes së numrit të rasteve me Covid-19.

Liberal-demokratja, Helen Morgan, që përfaqëson partinë e tretë më të madhe në Angli, përmbysi shumicën konservatore prej gati 23 mijë votash nga zgjedhjet e fundit për të fituar garën e së enjtes. Zgjedhjet në North Shropshire, një zonë rurale e Anglisë veriperëndimore, u shpallën pasi ish-deputeti konservator i Parlamentit dha dorëheqje mes një skandali të korrupsionit.

Rezultati do të shtojë presionin mbi Johnson vetëm dy vjet pasi ai u rizgjodh me një shumicë të padiskutueshme prej 80 vendesh në Parlament. Por, autoriteti i tij është dëmtuar javët e fundit nga akuzat se ai dhe stafi i tij ndoqën festat e Krishtlindjeve vitin e kaluar ndërsa vendi ishte nën izolim, përpjekjet për të mbrojtur një aleat nga akuzat për lobim të paligjshëm dhe sugjerimet se ai pranoi në mënyrë të gabuar donacione për të financuar rinovimin e vendbanimit të tij zyrtar.

Në këtë sfond, mbështetësit dhe kundërshtarët po vënë në pikëpyetje trajtimin e pandemisë nga Johnson pasi rastet me COVID-19 u rritën në shifra rekorde këtë javë ndërsa varianti Omicron përfshiu Britaninë e Madhe.

“Qytetarët e North Shropshire kanë folur në emër të popullit britanik”, tha Morgan në fjalimin e saj të fitores. “Ata thanë me zë të lartë dhe qartë, ‘Boris Johnson, festa mbaroi. Qeveria juaj, e drejtuar nga gënjeshtrat dhe mashtrimet, do të mbajë përgjegjësi. Qeveria do të hetohet, do të sfidohet ndërsa mund edhe të mposhtet”, tha ajo.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *