“Britania do të bashkëpunojë me talebanët nëse marrin pushtetin”

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace tha se qeveria britanike do të punojë me talebanët nëse ata kthehen në pushtet në Afganistan.

“Mësimet e 20 viteve të kaluara, hera e fundit kur grupi ishte në pushtet, nuk flasin për ‘humbje të talebanëve’”, tha ai për gazetën “Telegraph” në një intervistë të publikuar të martën.

Në prill të këtij viti SHBA-ja njoftoi tërheqjen e të gjitha trupave të saj nga Afganistani deri më 11 shtator, dy dekada nga sulmet e 11 shtatorit, sulmet që shkaktuan pushtimin e udhëhequr nga SHBA-ja për të rrëzuar talebanët me mbështetjen e Britanisë së Madhe. Talebanët kishin strehuar sulmuesit terroristë të Al-Kaedës.

Javën e kaluar, kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi se edhe Britania e Madhe i jep fund pranisë së saj ushtarake në Afganistan pas dy dekadash luftë.

Që nga njoftimi i SHBA-së për tërheqje, talebanët kanë vazhduar duke fituar terren, ku shumica e vëzhguesve thonë se ata kontrollojnë pjesën më të madhe të territorit të Afganistanit, nëse edhe nuk rrëzojnë qeverinë në kryeqytetin Kabul.

Wallace pranoi se talebanët ndoshta do të kenë një rol në drejtimin e Afganistanit në të ardhmen, por gjithashtu tha se ata nuk do t’u jepnin përsëri strehim grupeve terroriste që sulmojnë Perëndimin.

“Cilado qeveri qoftë, me kusht që t’u përmbahet disa normave ndërkombëtare, qeveria e Britanisë së Madhe do të angazhohet me të”, tha ai.

Megjithatë, ai shtoi: “Ashtu si qeveritë e tjera në botë, nëse ata sillen në mënyrë që seriozisht shkel të drejtat e njeriut, ne do t’i rishikojmë këto marrëdhënie”.

Qeverisja e talebanëve e viteve 1996-2001 ishte nën kritika të ashpra për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Talebanët nuk do të duan të “rrezikojnë izolimin”

Lufta në Afganistan kushtoi me jetën e 457 pjesëtarëve britanikë të shërbimit.

“Veteranët afganë do të pyesin veten rreth talebanëve. Të gjitha proceset e paqes kërkojnë që ju të pajtoheni me armikun. Ndonjëherë, kjo është ajo që është”, tha Wallace.

Ai tha se ajo që talebanët “fuqimisht duan” është njohja ndërkombëtare.

“Ata kanë nevojë që të zhbllokohen financiarisht dhe kërkojnë mbështetje për ndërtimin e vendit dhe këtë nuk mund ta bëni me një maskë terroriste”, tha Wallace.

“Ju duhet të jeni një partner për paqen, përndryshe rrezikoni të izoloheni. Izolimi ju çon atje ku ishin herën e fundit”, theksoi ai.

Wallace u bëri thirrje talebanëve dhe presidentit të Afganistanit të mbështetur nga Perëndimi, Ashraf Ghani të punojnë së bashku për të sjellë stabilitet në vendin e shkatërruar nga lufta.

“Tani është koha që të dy palët të tregojnë udhëheqje dhe të ndërtojnë së bashku Afganistanin”, tha Wallace.

“Por, në fund të fundit, nëse ka një qeveri dhe ajo është një qeveri e të dyjave (talebanëve dhe jo-talebanëve) dhe ne jemi zotuar për marrëdhënie diplomatike, atëherë kjo është saktësisht ajo që do të bëhet”, tha sekretari britanik i Mbrojtjes.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *