Britania e madhe heq masat anti-Covid

15:52 20/01/2022

Edhe SHBA e Spanja zbusin qasjen ndaj pandemisë

Qeveria britanike heq masat kufizuese kundër përhapjes së COVID-19. Me qarkullimin e Omikronit që duket se sjell më pak pasoja shëndetësore krahasuar me variantet e mëparshëm, kryeministri Boris Johnson renditi para parlamentit masat që do të hiqen.

“Duke nisur nga Enjtja e javës së ardhshme, detyrimi i certifikatave të vaksinimit hiqet dhe organizatat e vendosin vetë nëse i kërkojnë apo jo. Ndërsa si masa e menjëhershme, puna nga shtëpia nuk kërkohet më nga qeveria dhe për këtë punëdhënësit vendosin vetë. Po ashtu, duke parë me kujdes të dhënat, qeveria nuk detyron më mbajtjen e maskave askund”.

Në të njëjtin drejtim po ecin edhe Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan Joe Biden dha sinjalin e parë gjatë fjalimit të 1-vjetorit të mandatit të tij, ku tha se nuk do të ketë më bllokada anti-Covid. Por ai u bëri thirrje qytetarëve të mos reshtin së vaksinuari si mënyra më e mirë për të ruajtur shëndetin.

Spanja është një tjetër vend që kërkon fundin e pandemisë dhe kategorizimin e COVID-19 në virus endemik ashtu si gripi. Por, OBSH-ja thotë se për një qasje të tillë është ende herët të ndiqet pasi Omikron është ende në kulmin e qarkullimit në shkallë globale, duke rritur presionin në spitale e për pasojë edhe rastet e rënda e vdekjet.

Frikën e OBSH-së e tregojnë qartë edhe shifrat ditore globale, ku këtë 24-orësh veç rekordit të ri për gjithë periudhën e pandemisë me mbi 3.5 milionë infektime, edhe vdekjet shënuan rekord të ri që prej Tetorit me gati 9 mijë raste të reja me një tendencë në rritje.

Tv Klan

Të ngjashmeBurimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts