British Airways anulon 1500 fluturime të tjera

21:58 05/07/2022

British Airways ka anuluar 1500 fluturime të tjera, kryesisht për muajin Korrik. Sipas asaj që shkruan BBC, vala e anulimeve të bëra gjatë javëve të fundit do të prekë mijëra udhëtarë që shpresojnë të nisen këtë verë nga Heathrow dhe Gatwick.

Industria po vuan mungesën e stafit në një kohë kur kërkesa për udhëtime ajrore është rritur. British Airways kishte anuluar më herët 10% të fluturimeve të planifikuara midis Prillit dhe Tetorit, por tha se “për fat të keq” nevojiteshin më shumë reduktime.

Një zëdhënës nga linja ajrore, e cila është më e madhja në Mbretërinë e Bashkuar, tha: “Teksa e gjithë industria e aviacionit vazhdon të përballet me periudhën më sfiduese në historinë e saj, për fat të keq është e nevojshme të bëhen disa reduktime të mëtejshme”.

Kompania tha se tha se ishte në kontakt me klientët për të “kërkuar falje dhe për t’u ofruar mundësinë e rezervimeve të tjera, ose për t’i rimbursuar plotësisht”.

British Airways pritet të shpallë anulime të mëtejshme gjatë verës.

Aeroportet u japin vende kompanive ajrore me autorizimin për t’u ngritur ose ulur në një kohë të caktuar, në një ditë të caktuar. Transportuesit rrezikojnë t’i humbasin këto vende, duke dëmtuar në këtë mënyrë biznesin e tyre, nëse anulojnë fluturimet.

Të mërkurën, British Airways u prek gjithashtu nga një ndërhyrje e planifikuar nga Aeroporti Heathrow. Heathrow u kërkoi linjave ajrore të shkurtojnë 30 fluturime nga oraret e tyre të mëngjesit të së enjtes, pasi pritej një fluks pasagjerësh më i lartë nga sa mund të përballohej.

Ky veprim erdhi për t’u siguruar që aeroporti të kishte staf të mjaftueshëm sigurie në detyrë për numrin e pasagjerëve.

Anulimet vijnë pasi qindra staf të check-in të British Airways në Heathrow po vendosin për datat e grevës, të cilat mund të ndikojnë më tej në udhëtimet gjatë periudhës së verës.

Shumë njerëz humbën vendet e punës në industrinë e aviacionit gjatë pandemisë Covid dhe rekrutimi i personelit të mjaftueshëm në kohë, për të përballuar rritjen e kërkesës për udhëtime, ka rezultuar i vështirë për linjat ajrore dhe aeroportet.

Gatwick ka lajmëruar se do të reduktojë numrin e fluturimeve gjatë verës për shkak të mungesës së stafit.

Edhe Aeroporti i Manchester-it ka paralajmëruar se nuk do të jetë në gjendje të kthehet në standardet e tij para pandemisë deri në vjeshtë.

Mijëra pasagjerë u prekën nga anulimet e fluturimeve të minutës së fundit gjatë festave të Pashkëve.

Kjo ndërprerje e mëparshme bëri që qeveria dhe rregullatori i aviacionit, Autoriteti i Aviacionit Civil, t’u shkruanin linjave ajrore duke u thënë që të siguroheshin që oraret e tyre verore të ishin “të mundura… bazuar në burimet që ju dhe kontraktorët tuaj prisni të keni në dispozicion”./tvklan.al

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.