Brukseli propozon ndryshime ligjore: Supermarketet e mëdha të dhurojnë ushqimet e pashitura

brukseli propozon ndryshime ligjore supermarketet e medha te dhurojne ushqimet e pashitura

Një herë në javë, Jeannine Weyekmans dhe vullnetarë të tjerë u japin ushqim rreth 150 familjeve. Kryetarja e kësaj banke ushqimore e di se njerëzit që vijnë këtu nuk kanë zgjidhje tjetër. Këtë të enjte, shumë njerëz gjetën rrugën drejt kishës protestante në komunën e Laekenit të Brukselit.

Burrat dhe gratë mbushin karrocat dhe çantat e tyre të blerjeve me atë që u jepet nga vullnetarët. Mes tyre ka shumë familje me fëmijë. Pranë një grumbulli buke, mbi tavolina ka salca dhe perime. Në anën tjetër të dhomës, njerëzit marrin qese të vogla me patate të skuqura dhe kuti me ëmbëlsira. Ka gjithashtu ujë të gazuar, fruta dhe vaj. Në një frigorifer të madh, ka mish.

Ndryshe nga një supermarket, njerëzit nuk paguajnë, por gjithashtu nuk mund të zgjedhin nga raftet gjithçka që mund të dëshirojnë. Njerëzit gjejnë vetëm atë që është dhuruar nga supermarketet. Disa nga produktet e kanë kaluar datën më të mirë para përdorimit, të tjerët jo. Ndër produktet janë disa, si vaji apo mielli, që kanë një flamur të BE-së. Ato janë paguar nga një projekt i BE-së.

Kërkesa e lartë në bankat ushqimore të Brukselit

Njerëzit vijnë këtu për arsye të ndryshme, tha Jeannine Weyekmans për DW. Disa prej tyre kanë të drejtë përmes autoriteteve të mirëqenies sociale, të tjerët janë në borxhe apo ka edhe njerëz që presin të marrin dokumentat e qendrimit dhe nuk lejohen të punojnë ndërkohë.

Ajo thotë se ata nuk bëjnë ndonjë verifikim të hollësishëm, sepse njerëzit që vijnë këtu kanë vërtet nevojë për të. Por sidoqoftë ata kurrë nuk do të largonin ndokënd pa ushqim, shtoi ajo. Çdo të enjte ata shpërndajnë ushqimet për nevojtarët. Disa nga njerëzit që vijnë këtu jetojnë me atë që marin nga e enjtja deri të enjten pasuese, thotë Weyekmans.

Banka e ushqimit në Laeken është një nga afërsisht 140 bankat ushqimore në rajonin e Brukselit dhe Brabant, e cila merr një pjesë të produkteve të saj nga banka ushqimore e Brukselit dhe Brabant. Banka e ushqimit u siguron çdo vit 5 milionë kilogramë ushqime organizatave jofitimprurëse, tha për DW presidenti Luc Rogge. Banka rajonale e ushqimit shërben si qendër për dhurimet ushqimore nga supermarketet në bankat e ushqimit dhe shpërndan ushqime të paguara nga një projekt i BE-së për më të privuarit (FEAD). Kjo përbën rreth 40% të shumës vjetore.

Banka e ushqimit operon me vullnetarë dhe mbështetet nga autoritetet sociale dhe rajoni. Pa angazhimin e njerëzve si Luc Rogge dhe Jeannine Weyekmans, më shumë ushqim ndoshta do të shkonte dëm.

Planet për të bërë të detyrueshëm dhurimin e ushqimeve

Eurostat vlerëson se afërsisht 10% e të gjithë ushqimit të vënë në dispozicion të konsumatorëve të BE-së përfundon në plehra. Në vitin 2020, ajo arriti në afro 59 milionë tonë, sipas BE-së. Në të njëjtën kohë, BE thotë se 32.6 milionë njerëz në Evropë nuk janë në gjendje të përballojnë një vakt cilësor në çdo dy ditë.

Në zonën e Brukselit, ministri rajonal Alain Maron thotë në një deklaratë në faqen e tij online se janë 70.000 njerëz që mbështeten tek bankat e ushqimit. Duke filluar nga viti 2024 ai dëshiron të detyrojë dyqanet me një sipërfaqe prej më shumë se 1000 metra katrorë të dhurojnë ushqime të pashitura, por ende të konsumueshme. Një projekt-dekret kaloi në lexim të parë dhe duhet t’i nënshtrohet hapave të mëtejshëm legjislativ.

Hans Cardyn, zëdhënës i shoqatës belge të tregtisë me pakicë Comeos tha për DW, se supermarketet në Belgjikë tashmë po dhuronin shumë. Ai beson se ligji i ri do të vinte në disavantazh klientët, të cilët nuk do të përfitonin më nga çmimet e ulura të mallrave që u afron afati i skadencës. Një problem tjetër sipas Cardyn, është se detyrimi vlen vetëm për dyqanet me mbi 1000 metra katrorë sipërfaqe me pakicë. Ky plan mund të duket si një ide e mirë, por në fakt është një “ide e mire e gabuar”, tha përfaqësuesi i shoqatës së tregtisë me pakicë për DW.

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts