Bufon: Ibrahimoviç dhe Vlahoviç fenomenë, Juvja u tregua e drejtë me Dibalën









Një roman i gjatë 1131 ndeshje, nga të cilat 501 pa pësuar gol. E para në moshën 17-vjeçare kundër Milanit, e fundit kundër Rexhinës, në moshën 44- vjeçare, sërish me bluzën e Parmës. Por mes këtyre janë edhe 10 tituj kampion me Juventusin, Liga 1 me PSG-në, Kupa e Botës e ngritur në Berlin me Italinë, por edhe një koleksion unik rekordesh dhe trofesh të tjerë të ndryshëm, të cilat kompletojnë një palmares për t’u pasur zili nga të gjithë. Xhanluixhi Bufon, nga porta që vazhdon të mbrojë, ka parë se si futbolli po ndryshon, por mes stileve të ndryshme e deri te futja e teknologjisë, ai vazhdon që të jetë aty, duke pritur e grushtuar topat e kundërshtarëve.

IPP20180314 Football soccer Serie A Juventus Turin Atalanta Bergamo paulo dybala e gianluigi

Bufon, si keni mundur që ta ndalni kohën për karrierën tuaj?

Sekreti është dëshira për të vazhduar dhe për t’u ndier special. Nuk i kam vënë kurrë limite vetes, përkundrazi kam dashur që të gjej entuziazmin edhe në momentet e vështira.

Sapo rinovuat kontratën. Do të luani të paktën deri 46 vjeç…

Parma më dha besim, ndonëse në moshën time e di shumë mirë se çdo ditë, çdo ndeshje është një provim më vete.

Ndërkohë, për të shpresuar në Botërorin e gjashtë, i cili do t’ju bënte rekordmen absolut duhet të jeni ende aktiv deri 48 vjeç…

Edhe nëse Italia do të ishte kualifikuar, nuk besoj se do të më kishin grumbulluar. Mendimi im është se një thirrje do ta kisha merituar, por duke parë zgjedhjet e bëra në vitet e fundit, mendoj se Mançini nuk do ta kishte gabim nëse do të më linte jashtë.

Botërori i dytë radhazi pa Italinë. Çfarë ndieni?

Mendoj se që nga eliminimi ynë në grupe, në 2010-ën, ishte kuptuar se bota po ecte në një drejtim që ndoshta vetëm ne nuk po e ndiqnim. Kishin ndryshuar hierarkitë, idetë, ritmi. Nga ajo periudhë kemi ecur vetëm me iluzione, mes të cilave pati edhe vend për krenari siç ishte fitimi i Europianit verën e kaluar, por sërish u konfirmua se ishim jashtë rroge. Ndoshta, në aspektin karakterial askush nuk krahasohet me ne si komb, por nuk mund të mjaftojë vetëm karakteri i treguar vjet në Londër, për të pasur vazhdimësi.

Sipas jush, ishte e drejtë që të vazhdohej me Mançinin?

Nuk ka dyshime se ishte arkitekti kryesor i fitimit të “Euro 2020”, njeriu që provoi ringjalljen e futbollit italian, por pas kësaj goditjeje të rëndë, pa dyshim që edhe ai ka faje të mëdha. Është një tjetër gjë të eliminohesh nga Portugalia, tjetër gjë nga Maqedonia e Veriut.

Përveç Mançinit edhe Donaruma përfundoi në shënjestër…

Koha do t’i japë të drejtë Xhixhos, pasi momente delikate kalojnë të gjithë. Është aq i zoti në punën që bën, sa shumë shpejt do të shohë se ata që e kritikuan, do ta duan më shumë në vazhdim.

Na thoni një emër nga duhet rinisur sërish…

Tonali. Rritja e tij te Milani më ka tmerruar pozitivisht.

Po për titullin, është sërish një luftë mes 3 apo 4 skuadrave?

Ky është një kampionat i çuditshëm, duke qenë se e përgjithshmja është se një skuadër kryeson, dominon, ndërsa disa të tjera mundohen që ta shqetësojnë, por pa e rrezikuar. Ai që duket se dominon së fundmi është Interi, i cili edhe pse bëri disa pasazhe boshe, arriti që të ringjallej në Torino dhe tani është ajo favoritja për titullin.

Pra, sipas jush, Juvja nuk ka më asnjë shans?

Po të kishte fituar me Interin, do të ishte aty, duke luftuar deri në fund, ndonëse për Juven ky mund të quhet kampionati i pengjeve.

Shumë fajësojnë Alegrin. Është njeriu i duhur sipas jush?

Fusha thotë se grupi po përmirësohet. Ndaj…

Si portier që duhet të ndalni sulmuesit, cili prej tyre ju ka mahnitur më shumë?

Vlahoviç është dominues me fizikun e tij, por di që në çdo lëvizje të vërë edhe cilësi, forcë dhe nervozizëm. Më pëlqen pa fund, ashtu sikurse edhe Zapata e Lautaro. Pastaj është edhe Ibrahimoviç që edhe pse 40 vjeç, mund të arrijë të fitojë gjithçka edhe i vetëm.

Ndërkohë, Dibala do të largohet nga Juventusi…

Nuk e prisja, por mendoj se klubi u tregua i pastër me atë, i drejtpërdrejtë, duke i shpjeguar se nuk është më funksional për projektin që do të nisin nga sezoni i ardhshëm. Nuk ia rinovuan kontratën jo sepse mendojnë se është skarco… Unë jam i sigurt se Dibala do të gjejë diku tjetër mundësinë që të bëjë gjëra të mëdha, por kjo nuk do të thotë se Juventusi ka gabuar me atë.

1131 ndeshje në karrierë, por na thoni cilën do të donit ta riluanit?

Real Madrid-Juventus 103, atë të penalltisë finale të Ronaldos. Dolëm nga Champions në një mënyrë… Por nuk ka pasur asnjë ndeshje që më ka dhuruar ato emocione dhe mbi të gjitha, në fund të saj u ndjeva krenar që isha kapiten i Juventusit.

Disa ditë më parë takuat Vladin, një djalë, një portier 12- vjeçar që ishte arratisur nga lufta në Ukrainë dhe ëndërronte t’ju takonte…

Ishte një moment i gjallë, drithërues, nga ato në të cilat kupton se sa me fat je, por në të njëjtën kohë pyet veten nëse e meriton këtë fat. Kjo, pasi edhe duke mos pasur asnjë fuqi të mbinatyrshme, i rikthen buzëqeshjen një fëmije që ka parë vdekjen me sy.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.