Bujar Nishani tregon përplasjen me kreun e PD: Faqen dhe fytyrën time s’ia jap askujt, as tim biri, jo Bashës! Synimi im i rikthimit është…






MARIGLEN KUME/ Ish-Presidenti Bujar Nishani nga Gjirokastra i është përgjigjur kryedemokratit Basha, i cili pak ditë më parë tha se Nishani e sulmon atë për shkak të inateve personale.

basha- nishani

Në fjalën e tij, Nishani teksa ishte në Gjirokastër së bashku me kandidaten për kryetare të PD-së Edit Harxhi, u shpreh se debati që ka ngritur ditët e fundit nuk është për hatërmbetje personale, por për parime. Ndërkohë, nuk ka nguruar të çojë edhe mesazhe ndaj lidershipit aktual.

“Nuk është 13 qershori për përplasje të inatit të njërit apo të tjetrit, por për ta bërë PD-në partinë e vlerave. Para pak ditësh më është adresuar Basha duke thënë se reagimet e mia janë për shkak të hatërmbetjeve personale. Të them të drejtën, jam ndier i lënduar, sepse Basha më shumë se kushdo tjetër i di fare mirë arsyet e angazhimit tim personal pasi ika nga detyra e Presidentit. Kur më kërkoi të merrja detyrën, i kam thënë se Nishani është ai që ka qenë dhe s’kam nevojë për ofiqe. Faqen dhe fytyrën time s’ia jap askujt, as tim biri, jo Bashës. Synimi im i rikthimit është se e kam pasur më të madhe se Basha karrigen, por kam pasur një bindje se mund t’i shërbeja PD-së si një avokat publik”, tha Nishani.

Ndërkohë, në përgjigje të kritikëve ndaj tij, që e akuzojnë se ka heshtur më përpara, Nishani kujtoi se pas marrëveshjes së 5 qershorit për reformën zgjedhore ka paralajmëruar Kryesinë e PD-së se Rama nuk do t’u qëndrojë rregullave të lojës. “Se është bërë tezë kjo pse s’ke folur më përpara. Pas marrëveshjes së 5 qershorit, kur ra dakord për ndryshimet në kod, iu kamë thënë të gjithëve në Kryesinë e PD-së. Duhet të keni parasysh diçka që deri kur Rama të jetë në Kryeministri do të bëjë procese mashtrimi, s’do kurohet ndonjëherë. Sot po flasim për masakër zgjedhore dhe bie dakord. A është e vërtetë që blihet dhe shitet vota? Po. Ka një blerës dhe shitës, unë dua të analizoj shitësin. S’janë të gjithë shqiptarët që e shesin votën. Mua më rezulton se ai që e shet votën në momentin e fundit thotë se Bujari dhe Editi s’kanë për të fituar gjë, të marrë 50 mijë lekëshin e të ik në shtëpi. Ka dhe nga ata që s’e shesin votën, por nuk hedhin votën”, tha Nishani.

AKUZA

Ndërkohë, kandidatja Edit Harxhi u tregoi demokratëve të Gjirokastrës arsyen se përse vendosi që të kandidonte për të marrë drejtimin e PD-së. Harxhi pati edhe një paralajmërim për demokratët. Sipas saj, nëse PD-ja nuk shpëtohet këtë herë, selia blu do të përfundojë si LDK-ja e Kosovës, që tashmë nuk është një alternativë qeverisëse “Sot jam para jush në një sfidë të vështirë, për të arritur deri te kandidimi nuk ka qenë vetëm një vendim personal, por një mbështetje. Grupi ‘Për PD’, Kulluri, Nishani, por dhe shumë të tjerë, Imami, Elezi, më kërkuan që unë të kandidoja për këtë garë. Pse? Një nga arsyet është sepse do të ishte një ndryshim, për herë të parë kandidon një grua, por unë nuk hyj në këtë garë vetëm sepse jam grua, sepse kjo është një garë e meritokracisë.

PD është në dorë të një kupole të vogël, të cilët e kanë marrë peng prej disa kohësh dhe ne duhet ta shpëtojmë. Nëse s’e shpëtojmë tani, do të përfundojë si LDK e Kosovës. Ne s’mund ta lejojmë këtë gjë, veprimtaria juaj s’mund të shkojë kot. Ju kaloni net të tëra në KZAZ gjatë zgjedhjeve dhe s’jemi shpërblyer dhe ka ardhur momenti të shpërbleheni. Ka një javë që serveri i listave të votuesve të PD-së për zgjedhjet e 13 qershorit është i bllokuar dhe asnjë nga degët nuk mund të zbresë dhe të marrë listën. Lista s’mund t’i përkasë serverit qendror të partisë, por degëve, sepse ju punoni me ato degë. Lista nuk është pronë e Kryesisë apo kryetarit të PD-së. Unë jam futur në këtë garë të pabarabartë sepse, siç kam thënë më parë, sfidoj ata që pas 4 humbjesh vazhdojnë të mbajnë peng pronën”, tha Harxhi.

DORËHEQJA

Ndërkohë, kandidati tjetër i PD-së, Agron Shehaj, gjatë takimit me demokratët në degët në kryeqytet, u shpreh se kryedemokrati Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Shehaj kërkon që të normojë që fati i kreut të PD-së të varet me rezultatin e betejës politike. Nëse vjen në pushtet, qëndron në krye të partisë; nëse jo, atëherë, sipas Shehajt, duhet të largohet nga drejtimi i PD-së.

“Kryetari i Partisë duhet të lidhë fatin me fitoren; nëse nuk fiton, duhet të japë dorëheqjen dhe të tërhiqet, të tërhiqet dhe të mos kandidojë më. Nëse fiton, qëndron; nëse nuk fiton, ikën! Ka ardhur dita të ndryshojmë lidershipin e PD-së, që nesër të rrëzojmë Ramën”, tha Shehaj. Për Shehajn nuk mjaftojnë vetëm akuzat ndaj Kryeministrit Rama se vodhi zgjedhjet, por sytë duhet të kthehen drejt problemeve të brendshme. “Po kërkohet të thuhet që nuk humbëm, duke thënë që arsyeja pse humbëm është masakra zgjedhore, është koha të themi të vërtetën në sy: rezultati i zgjedhjeve është ky, nuk mund të ndryshojë. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është që në zgjedhjet e reja të jemi më të fortë, nuk mund të futemi në Parlament nëse do të themi që u vodhën votat, nuk duhet të ishin bërë shumë prej gabimeve, ose rregullojmë problemet, ose nuk duhet të futemi në Parlament, ose njërën ose tjetrën. Unë mendoj që PD ka nevojë për një reformim të thellë”, tha Shehaj

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *