Bullgaria dhe Rumania i shtohen listës, pezullojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca

Pasi Rumania pezulloi përkohësisht përdorimin e grupit të vaksinave AstraZeneca të ndaluar në Itali për shkak të shqetësimeve për efektet e saj anësore, Bullgaria ka ndaluar vaksinimin derisa Agjencia Evropiane e Barnave të përfundojë hetimin e saj.

Qeveria bullgare ka thënë më 12 shkurt se vaksinimi është pezulluar derisa Agjencia Evropiane e Ilaçeve të dërgojë një deklaratë të shkruar, që heq të gjitha dyshimet për siguri.

“Derisa të kemi një konfirmim të sigurt dhe të qartë në letër nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve, që vaksina e kompanisë AstraZeneca mund apo nuk mund të jepet, ju (zyrtarët shëndetësorë) do ta ndalni vaksinimin”, është cituar të ketë thënë kryeministri bullgar Boyko Borisov.

Njoftimi erdhi pasi Rumania ndaloi përkohësisht vaksinimin me grupin AstraZeneca ABV 2856 të enjten. Masa u mor disa orë pasi Italia ndaloi përdorimin e këtij grupi të njëjtë pas vdekjeve në Siçili të dy burrave që ishin inokuluar me doza prej saj.

Sipas Komitetit Kombëtar që koordinon vaksinimin në Rumani, vendi ka marrë deri më tani 81,600 doza nga ky grup dhe 77,049 doza janë administruar tashmë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë më 12 mars se është duke analizuar raportimet për probleme me koagulim të gjakut te disa persona në Bashkimin Evropian, të cilët janë vaksinuar me një dërgesë të vaksinave të AstraZenecas.

Vetë kompania AstraZeneca ka thënë më 11 mars se nuk ka gjetur të dhëna për rritje të ndërlikimeve pulmonare apo të trombozave në vena – bazuar në të dhënat që nga vaksinimi deri më tani.

Megjithatë, Danimarka, Norvegjia, Islanda, Italia dhe Rumania kanë shtyrë apo kufizuar vaksinimin me këto vaksina, pas raportimeve të izoluara të pacientëve që janë përballur me trashje gjaku.

Tajlanda ka vepruar njësoj më 12 mars. Australia, Meksika dhe Filipinet kanë thënë se do të vazhdojnë vaksinimin, pasi nuk kanë gjetur arsye për të vepruar ndryshe.

Kanadaja po ashtu ka thënë se nuk ka të dhëna se vaksina shkakton reaksione agresive.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *