Buxheti arkëton 287 miliardë lekë për 5-mujorin

buxheti arketon 287 miliarde leke per 5 mujorin

Në buxhetin e shtetit janë arkëtuar 287.1 miliardë lekë në pesë muajt e parë të vitit, me një rritje prej 11.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në vlerë, janë arkëtuar 29 miliardë lekë më shumë. Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë kontributet e sigurimeve shoqërore (+8.4 miliardë lekë), TVSH (+4.5 miliardë lekë), tatimi mbi të ardhurat personale (+4 miliardë lekë).

Doganat sollën 5.6 miliardë lekë më shumë se pesëmujori i një viti më parë. Në rënie ishte të ardhurat nga tatim fitimi (-1.7 miliardë lekë), por financat sqaruan se kjo lidhet efektin e taksës për prodhuesit e energjisë, që u mblodh në vitin 2023 për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave të ardhurat totale, për periudhën 5-mujore arritën në rreth 287.1 miliardë lekë ose 103.4% e planit të së njëjtës periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u mblodhën rreth 29 miliardë lekë më shumë, ose 11.2% më shumë se 5-mujori i vitit 2023.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT) arritën në 247 miliardë lekë, 22.8 miliardë lekë ose 10.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, si dhe 4.9 miliardë lekë ose 2% më shumë se plani 5-mujor për vitin 2024.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 89.7 miliardë lekë, 5.6 miliardë lekë ose 6.6% më shumë se 5-mujori 2023, si dhe 108 milionë lekë ose 0.1% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 5-mujorin e vitit 2024.

Të ardhurat nga TVSH në import për 5-mujorin rezultojnë 61.8 miliardë lekë, 3.6 miliardë lekë ose 6.2% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 461 milionë lekë ose 0.7% më pak se plani për 5-mujorin 2024.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 23.1 miliardë lekë, 2 miliardë lek ose 9.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023, si dhe 512 milionë lekë ose 2.3% më shumë se plani i akcizës për 5-mujorin 2024.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.3 miliardë lekë, 58 milionë ose 4.4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe realizim në masën 97.2% kundrejt planit për 5-mujorin 2024.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 3.5 miliardë lekë, 37 milionë lekë ose 1.1% më shumë se 5-mujori 2023, si dhe realizim në masën 102.7% kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 5-mujorin 2024 u realizuan në masën 157.3 miliardë lekë, 17.3 miliardë lekë ose 12.3% më shumë se 5-mujori i vitit të kaluar, si dhe 4.8 miliardë lekë, ose 3.1% më shumë se plani i 5-mujorit 2024.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 23.2 miliardë lekë, 4.5 miliardë lekë ose 24.2% më shumë se 5-mujori 2023, si dhe 39 milionë lekë ose 0.2% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 5-mujorin 2024.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 27.6 miliardë lekë, 1.7 miliardë lekë, ose 5.8% më pak se 5-mujori 2023, (kjo për shkak të efektit të taksës për prodhuesit e energjisë në vitin 2023) si dhe 1.5 miliardë lekë ose 6% më shumë se plani i 5-mujorit të vitit 2024 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 26.8 miliardë lekë, 4 miliardë lekë ose 17.5% më shumë se 5-mujori 2023, si dhe 905 milionë lekë ose 3.5% më shumë se plani i 5-mujorit 2024.

Taksat nacionale, për periudhën 5-mujore 2024 u realizuan në masën 16.4 miliardë lekë, 2.1 miliardë lekë ose 14.4% më shumë se 5-mujori 2023, si dhe 335 milionë lekë ose 2.1% më shumë se plani për 5-mujorin 2024.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 63.4 miliardë lekë, 8.4 miliardë lek ose 15.2% më shumë se 5-mujori 2023, si dhe realizim 103.3% të planit për 5-mujorin 2024.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 5 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 236.6 miliardë lekë me një realizim në masën 93.8 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ato rezultojnë 6.4 për qind më të larta ose rreth 14.3 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 5 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 32.1 për qind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 31.8 për qind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 1 datë 21.02.2024 (AN nr.1).

Shpenzimet korente për periudhën 5 mujore të vitit 2024 rezultuan në rreth 216.1 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 9.1 për qind më i lartë ose rreth 18.1 miliardë lekë më shumë. /Monitor/

Te Ardhura Grafik
Te Ardhura Grafik
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts