Çmimi i naftës vijon të rritet

19:45 23/03/2022

Shqetësim për ndalimin e mundshëm nga BE të importit nga Rusia

Çmimi i naftës së papërpunuar në tregjet ndërkombëtare ruajti edhe këtë të mërkurë, tendencën rritëse. Rritje pati veçanërisht çmimi në bursën e naftës së Londrës, me 2 Dollarë më tepër se të martën, duke arritur gati në 119 Dollarë për fuçi. Ndërsa bursa e Teksasit ruan të njëjtat kuota të një dite më parë.

Një fuçi nafte tregtohet këtë të mërkurë me deri 12 Dollarë më shumë se çmimi më i ulët i gjithë Marsit i shënuar një javë më parë. Kjo rritje pasqyron shqetësimin e tregjeve për samitin e kësaj jave të liderëve të Bashkimit Europian, të cilët do të diskutojnë mbi mundësitë e bllokimit të importit të naftës dhe gazit nga Rusia, si ndëshkim për sulmin në Ukrainë.

Këtë të mërkurë, Presidenti amerikan Joe Biden u nis në turin e tij drejt Europës, ku do të marrë pjesë edhe në samitin e NATO-s e ku do të takohet me liderë të vendeve të unionit. Këshilltari i tij për sigurinë Jake Sullivan njoftoi në një konferencë për shtyp se Biden do t’u propozojë liderëve europianë, një strategji për shkëputjen nga varësia e naftës dhe gazit rus.

Shtetet e Bashkuara këmbëngulin që edhe vendet europiane të ndjekin shembullin e saj, të ndalimit të importit të naftës dhe gazit nga Rusia, për t’i dhënë goditje shkatërrimtare ekonomisë ruse.

Por Kancelari gjerman Olaf Scholz që drejton motorin ekonomik të unionit tha se varësia energjetike nga Rusia nuk mund të shkëputet brenda natës.  Liderët e vendeve europiane po përpiqen të lidhin marrëveshje të reja me vendet e Lindjes së Mesme, për të shkëputur varësinë nga Moska.

Së fundmi Presidenti Rus Vladimir Putin ka njoftuar se Moska do të lejojë shitjen e gazit edhe ndaj vendeve jomiqësore, por me kushtin që pagesa të bëhet vetëm në Rubla. Një vendim i tillë pritet të sjellë rritje të çmimit të gazit në tregjet europiane .

Tv Klan

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.