COVID-19 mund të sjellë shpresë për rajonet e harruara të Spanjës

Në Spanjë, vetëm dhjetë për qind e popullsisë jeton në zonat rurale, duke i bërë fshatrat spanjolle rajonet më pak të populluara të Evropës. Pandemia e Covid-19 dhe mundësia e shumë banorëve të qyteteve për të punuar nga distanca duket se po e ndryshojnë këtë prirje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Barcelonë, Alfonso Beato sjell hollësitë.

Për dekada, spanjollët kanë braktisur shtëpitë e tyre në fshat, të trashëguara nga paraardhësit e tyre, për të punuar në qytete si Barcelona, një nga zonat më të populluara të Evropës.

Kjo prirje mund të ndryshojë ndërsa shumë prej tyre po fillojnë të kthehen në rajonet rurale si Ginestari, një fshat katalanas që është kryesisht i zbrazët.

“Gjatë pandemisë, kam vërejtur se ka patur njerëz, jo të gjithë spanjollë, që po vijnë këtu, të interesuar për të gjetur një shtëpi të vogël”, thotë Maria Esther, banore e fshatit Ginestar.

Sipas një sondazhi të fundit, tre në dhjetë banorë të Barcelonës janë të gatshëm të largohen nga qyteti. Strehimi më i mirë, aftësia për të punuar në distancë dhe shqetësimet në lidhje me krimin janë arsyet kryesore.

Ndryshimet demografike dhe ardhja e njerëzve, shumë prej tyre nga ish kolonitë e Spanjës, janë gjithashtu një faktor në prirjen e këtij ndryshimi.

María Esther, një emigrante nga Peruja, u zhvendos në Ginestar shtatë vjet më parë. Ashtu si të tjerët që janë vendosur këtu, ajo erdhi për t’i shpëtuar jetës në qytet.

“Kjo ka qenë përvoja ime, kur kam banuar në Lima dhe më pas në Madrid, jeta ishte stresuese”, thotë Maria Esther.

Në vitin 2019, Spanja ishte vendi i dytë në Bashkimin Evropian me shkallën më të ulët të lindjeve, pas Maltës. Të huajt përbëjnë pjesën më të madhe të shtimit të vogël të popullsisë.

“Ne kemi parë tre çifte të moshës sime, 30 deri në 35 vjeç, që lëvizën në këtë fshat”, thotë Mandy Van Out, imigrante holandeze.

Jerome dhe Mandy, të dy nga Holanda, erdhën në Ginestar dhe hapën një biznes të aktiviteteve në natyrë. Ata shijojnë mjedisin natyror dhe e shohin atë si vendin e përkryer për të rritur fëmijët.

Qeveria e Spanjës ka nisur një iniciativë për të kapërcyer ndarjen mes zonave urbane dhe atyre rurale.

Vëzhguesit thonë se sjellja e teknologjisë dixhitale në zona të largëta është thelbësore në përpjekjen e Spanjës për të rritur migracionin nga zonat urbane në fshat.

“Unë besoj se kompanitë gjithashtu do të kalojnë në një sistem pune hibrid, duke kombinuar punën në zyrat e tyre qendrore me punën në distancë dhe do të krijojnë hapësira që do të ofrojnë ambiente cilësore të punës”, thotë Begona Garcia nga Iniciativa Cowcat Rural.

Një nga mësimet e nxjerra nga pandemia e koronavirusit është se teknologjia dixhitale dhe modelet e reja të rritjes së qëndrueshme ekonomike janë çelësi për përpjekjen e Spanjës për të ripopulluar rajonet e saj të harruara.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *