Pandemia COVID-19, e cila ka rritur ndjeshëm vdekshmërinë në Shqipëri, po provon të jetë më fatale tek burrat, një trend i vërejtur në të gjithë globin.
Eurostat ka publikuar të dhënat e vdekjes për Shqipërinë, në baza javore, të cilat janë në dispozicion për periudhën 9-mujore (nga 30 dhjetor 2019 deri në javën e fundit të shtatorit 2020, datë 27, gjithsej 39 javë), sipas gjinisë . Referuar këtyre shifrave, të përpiluara nga “Monitor”, për këtë periudhë të vitit 2020, vdekjet në vend u rritën me 7%, duke arritur në 17.700.
Në total, ka 1,171 jetë të humbura më shumë, për janar-shtator krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, e cila ishte kryesisht për shkak të pasojave të pandemisë. Nga këto vdekje shtesë, rreth 760 njerëz janë burra, ose rreth 65% e tepricës totale të viktimave.
Në vitet normale, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2019, në vend, burrat përbënin rreth 50-54% të vdekjeve totale, ndërsa në tremujorin e tretë të vitit 2020, ka javë kur kjo peshë është rritur në 62% të totalit, për shkak të rritjes më të lartë të fataliteteve të burrave në raport me gratë.
Edhe të dhënat globale tregojnë se ka vdekshmëri më të lartë nga COVID-19 tek burrat, me raportin e fatalitetit që varion midis 1 · 0, deri në 3 · 5 në disa raste. Revista shkencore The Lancet shkroi se të dhënat globale kanë treguar se të dy faktorët biologjikë (përgjigjet më të forta imune) dhe faktorët e rrezikut të sjelljes (p.sh. pirja e duhanit dhe zakone të tjera të jetesës) i vendosin burrat në një rrezik më të lartë për komplikime shëndetësore dhe vdekje si rezultat i COVID- 19
Sipas The Lancet, burrat kanë dy herë më shumë gjasa të vdesin nga COVID-19, të ndikuar nga një varg hipotezash, mënyrash jetese dhe fakti që gratë zakonisht kanë një sistem imunitar më të fortë, falë hormoneve femërore, si dhe strukturës së kromozomeve.
Studimet kanë treguar se jo vetëm që sistemi imunitar është më i dobët tek burrat, por në disa raste të rënda të koronavirusit, ai mund të prishet. Një studim i gati 1.000 pacientëve me COVID-19 në një gjendje të rrezikshme për jetën, botuar në Science në shtator, gjeti prova të vetë-sabotimit molekular. Sistemi imunitar po vepronte kundër mbrojtjes së trupit, ashtu si rojet rebele të kalasë që thyen portat e tyre. Ky problem ishte shumë më i përhapur tek burrat sesa gratë.
Lexo me shume: botasot.al