Dalin rezultatet paraprake në Gjermani

20:35 14/03/2021

Socialdemokratë fitojnë në Rheinland Pfalz, ndërsa të gjelbrit në Baden Wurttemberg

Socialdemokratët gjermanë kanë arritur fitore në landin Rheinland-Pfalz, sipas sondazheve, me 33.5 përqind të votave, të ndjekur nga kristiandemokratët, parti e drejtuar ndër vite nga kancelarja Merkel, me 25 përqind e pasuar në vendin e tretë nga Aleanca për Gjermaninë e së djathtës ekstreme me 10.5 përqind të votave.

Në landin tjetër ku u votua këtë të diel në Baden-Wurttemberg kryesojnë të Gjelbrit me 30.9 përqind, të ndjekur nga kristiandemokratët e CDU, me 31 përqind, në vend të tretë Aleanca për Gjermaninë 12.5 përqind dhe si parti e katërt janë renditur socialdemokratët me 10.8 përqind.

Këto zgjedhje në këto dy lande përbënë një test të vështirë për partinë e kancelares Angela Merkel e drejtuar tashmë nga lideri i ri të CDU-së Armin Laschet, i zgjedhur në krye të partisë në muajin Janar. Laschet ka theksuar që këto zgjedhje rajonale nuk mund të krahasohen me zgjedhjet e përgjithshme dhe rezultati nuk do të ndikojë stabilitetin e lidershipit të tij.

Megjithatë rezultatet e dobëta mund të sjellin shumë pikëpyetje për shpresat e tij për të pasuar zonjën Merkel. Laschet ka lënë të kuptohet që ai dhe lideri i CSU-së Markus Soeder do të vendosin brenda muajit Maj se kush do të jetë kandidati i qendrës së djathtë që do të kandidojë për postin e kancelarit.

Aktualisht Gjermaninë e drejton një koalicion i gjerë mes të djathtëve CDU/CSU dhe socialdemokratëve. Më 26 Shtator do të përcaktohet se kush do të jetë pasardhësi i kancelares në krye të Gjermanisë.

Përveç pakënaqësisë me shkallën e ulët të vaksinimit dhe me kufizimet akoma në fuqi të koronavirusit, partia e Merkelit është goditur dhe nga skandali që dy deputetë të saj kanë përfituar nga tenderat për maska në fillim të pandemisë së koronavirusit.

Klan News









Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *