Debatet në komision për rritjen e çmimit të naftës/ Zëvendësministri i energjisë: U mbyllën 130 pika karburanti! Bylykbashi: Masat duhet të jenë të përkohshme, s’mund të…









KELMENT BAÇI/ Opozita u përplas dje në Komisionin e Ligjeve me zëvendësministrin Ilir Bejtja për aktet normative të qeverisë për menaxhimin e situatës së rritjes së çmimeve dhe ngritjen e Bordit të Transparencës.

komisioniligjeve

Për deputetin e PD-së, Oerd Bylykbashi, masat duhet të jenë të përkohshme, ndërsa sheh një mekanizëm që do mbetet në ligj dhe kjo është antikushtetuese. Nga ana tjetër, zëvendësministri Bejtja sqaroi deputetët se rezerva e detyruar për bizneset për furnizim 90-ditor do të ruhet, por sipas tij ajo do jetë e alokuar në një magazinë shtetërore dhe jo në depozitat e biznesit ashtu si sot. Po ashtu, në komision u debatua edhe për shtyrjen e afatit të skadimit të kartave të identitetit.

DEBATI

Oerd Bylykbashi: Kjo strukturë menaxhimi do të mbetet në ligj gjithmonë, apo Këshilli i Ministrave mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. 45 ditë është afati i miratimit në Kuvend. Masat duhet të jenë të përkohshme, ndërsa shoh këtu një mekanizëm që do të mbetet në ligj. Kështu që gjykoj që kjo pjesë nuk është në përputhje me Kushtetutën. Doni që të qëndrojë si amendament, apo është masë e përkohshme. Ju keni ngritur bordin, keni futur edhe 5 kompani që janë pjesë e saj. Janë 5 kompani që kanë konflikt interesi drejtpërdrejt. Këto bëjnë ligjin, të tjerat bëjnë mbushje.

Ilir Bejtja: 90-ditëshi është rezervë sigurie. Mbahen te porositësi, llogaritet një pjesë e rezervës te nafta që mund të importohet. Në total në treg, duhet të jenë gjithmonë 90 ditë karburant më tepër se sa është kërkesa ditore. Ligji është i 2003-shit dhe këtë kemi për ta ribërë. Mbetet detyrimi për 90 ditë treg karburant. Nuk ndikon në çmimin ditor të karburantit. Të gjithë e mbajnë për shtetin. E mbajnë bizneset. Që të bësh këtë biznes është parakusht. Jemi duke bërë ndryshime në organizim, sepse nuk kemi mundësi që ta kontrollojmë gjithmonë. Jemi duke ndryshuar formatin që të jetë e alokuar në një magazinë shtetërore dhe jo në depozitat e biznesit si sot. Ndryshojnë vetëm nga metodologjia. Si dispozita neni 21 është dispozitë e përhershme.

Përfaqësuesi i bordit: Ky bord përcakton çmimin tavan. Ka mundësinë që të shitet edhe më ulët se kaq. Ka çmime që kanë ulje të çmimit tavan. Kushdo ka të drejtë dhe mundësi të shesë me çmim më të ulët.

Ilir Bejtja: Formulën s’e kanë përcaktuar bizneset. Nëse jepen të dhënat dhe ato favorizohen nga dogana, nuk na i japin bizneset, por ne vendosim çmimin tavan. Nuk ekzistojnë kartelet. Bordi nuk i kontrollon këto, i kontrollon Autoriteti i Konkurrencës.

Enkelejd Alibeaj: Pyetja, cilat janë arsyet e rëndësishme publike që detyruan qeverinë që të bëj këtë ndërhyrje të rëndë?

Ilir Bejtja: Arsyeja e parë publike është furnizimi i tregut. Pas rritjes së çmimit njohu mungesën e karburantit, reflektuar kjo edhe në doganë. Do të kishim problemin e sigurisë së furnizimit. Arsyeja tjetër do të ishte ndikimi i impulsit të lartë të çmimeve në sektorët e tjera. Së pari në transportin e qytetarëve, atë publik. Të mos lejonim një situatë monopol, që ata që furnizojnë tregun të vazhdojnë të shisnin me pakicë, u krijua ky mekanizëm. Këto ishin arsyet kryesore që ne e pamë të udhës që të merreshin këto masa kontrolli.

DEBATI PËR KARTAT E IDENTITETIT

Dhurata Çupi: Ka pasur edhe raporte jo zyrtare, por të kthyera në fenomen, kur në një periudhë para zgjedhjeve kishte individë të lidhur me pushtetin që involvoheshin në blerjen e kartave për shtresat në nevojë. Kjo ndikonte edhe në rezultatet zgjedhore. Këtyre që u çohej karta në shtëpi apo u çoheshin lekët e kartave. Këto kanë pasur ndikim jo të paketë në rezultatin e Zgjedhjeve. Ju jeni në dijeni të një fenomeni të tillë dhe a do merrni masa për zgjedhjet e ardhshme? Duhet të sillni ndryshimet ligjore. Ju duhet të merrni masa që kjo mos të ndodhë më sepse zgjedhjet janë vitin e ardhshëm dhe do të kemi probleme të kësaj natyre.

Klotilda Bushka: Sa i takon rasteve që paraqisni ju, shumë fenomene që i kemi cilësuar si vepra penale janë të dënueshme dhe këto të referohen në organet e drejtësisë. Ju e njihni mirë këtë mekanizëm dhe mu duke e çuditshme, meqë e dinit duhet ta kishit referuar.

Julian Hodaj: Në dijeninë time, raporti i vjetshëm për zgjedhjet e 2021 ka qenë një nga raportet më të mira sa i përket gjendjes civile dhe punës së policisë së shtetit. Nuk do të doja ti përgjigjesha aludimit të shit-blerjes së kartave. Por nisma të këtij lloji ku vlefshmëria shtyhet për të marrë pjesë në votime parandaluaka shumë këtë fenomen që ju pretendoni që ekziston. Në dijeninë tonë ky fenomen nuk është raportuar, nuk është raportuar as nga vëzhguesit.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *