Debatet për figurën e tij/ Ambasadori gjerman e konsideroi “bashkëpunëtor të nazistëve”, pezullohet projekti për restaurimin e shtëpisë së ish-ministrit të Brendshëm shqiptar në Mitrovicë

debatet per figuren e tij ambasadori gjerman e konsideroi bashkepunetor te nazisteve pezullohet projekti per restaurimin e shtepise se ish ministrit te brendshem shqiptar ne mitrov

Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) thanë se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut.

Ky vendim vjen pas kundërshtimeve për restaurimin e shtëpisë së Devës, figura e të cilit është lidhur me krimet që kryen nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë edhe mundësinë për të përdorur situatën aktuale si mundësi që të adresohet hapur e kaluara përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet e rëndësishme”, thuhet në një njoftim të përbashkët të BE-së dhe UNDP-së.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde e ka cilësuar Xhafer Devën si “bashkëpunëtor të ngushtë të nazistëve”.

Xhafer Deva ka qenë politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945. Më 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.

“UNDP dhe BE dënojnë fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë dhe manifestimet e shumta të tyre, përfshirë edhe rritjen e intolerancës ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme. Ne jemi të përkushtuar që të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin dhe të luftojmë dezinformimin”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Më 1 shkurt, BE-ja, UNDP-ja dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit kishin njoftuar për projektin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës.

UNDP-ja dhe BE-ja tha se qëllimi i projektit ka qenë që të sjellë komunitetet së bashku dhe të kontribuojë në kohezionin shoqëror, duke përdorur trashëgiminë kulturore si një instrument për dialogun midis komuniteteve.

Shtëpia Xhafer Devës thuhet se është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.

Sipas MKRS-së, objekti ka stil modern perëndimor-evropian dhe është i pari i këtij lloji në Mitrovicë. Karakterizohet me dekorime të shumta që, sipas MKRS-së, janë tipike për stilin e tij.

Shtëpia është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Kush ishte Xhafer Deva?
Xhafer Deva ishte politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945. Ai u lind në Mitrovicë në vitin 1904 dhe një pjesë të shkollimit e kreu në Greqi, Turqi dhe Austri.

Sipas historianëve, ai ishte i njohur për veprimtarinë e tij nacionaliste dhe ishte antikomunist.

Deva udhëhoqi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur, sipas studiueseve, drejtoi rezistencën kundër futjes në Kosovë të trupave partizane jugosllave.

Në vitin 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.

Historiani Haxhi Ademi, nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, thotë se arsye përse Deva mund të ketë bashkëpunuar me nazistët, ka qenë fakti se shqiptarët, sipas tij, nuk i gëzonin të drejtat bazike në periudhën në mes të dy Luftërave Botërore.

Në këtë periudhë, sipas tij, janë vrarë dhjetëra politikanë shqiptarë dhe janë kryer masakra ndaj shqiptarëve.

“Xhafer Deva ka qenë ndër ato personalitete që kanë bashkëpunuar me gjermanët, duke e ditur gjithnjë rrezikun e jashtëm që ne kishim, do të thotë nga serbët dhe sllavët në përgjithësi”, thotë Ademi për Radion Evropa e Lirë.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Xhafer Deva ishte larguar nga Kosova për në Austri, pastaj Itali, Egjipt dhe Siri, prej ku kishte zhvilluar aktivitete politike, kryesisht përmes botimit të gazetave.

Në vitin 1956, ai migroi në SHBA, ku jetoi deri në fund të jetës.

Fakti se ai, pas Luftës së Dytë Botërore, kishte migruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas historianit Jusuf Buxhovi, tregon se nuk kishte lidhje me krimet e nazizmit.

“Po qe se Xhafer Deva, në çfarëdo forme, do të lidhej me Holokaust, SHBA-ja nuk do ta pranonte. Ai ka pasur azil në SHBA. Ka jetuar në SHBA dhe ka vdekur në SHBA. SHBA-ja ka qenë shumë e ashpër ndaj atyre që kanë pasur çfarëdo lidhjeje me fashizmin. Kjo tregon se Xhafer Deva ka qenë një politikan pragmatik në rrethanat e kohës”, thotë Buxhovi.

Xhafer Deva 1
Xhafer Deva 1

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts