Debati i plotë pa mikrofon/ PS ndërpret fjalën e deputetëve të PD: Dilni, flisni vetëm online. Kaos edhe në komisionet që drejtojnë demokratët, nuk vijnë ligjvënësit e mazhorancës





Ka nisur me tensione dhe përplasje puna e komisioneve të përhershme të Kuvendit të Shqipërisë, pasi maxhoranca kërkon që ato të zhvillohen online, ndërsa deputetët e opozitës ishin të pranishëm fizikisht në sallë, duke u bërë qesharakë.

Mbledhja e parë e Komisionit të Ligjeve, ajo e konstituimit, solli edhe debatin e parë, pasi maxhoranca ishte prezantuar online në këtë komision, ndërsa deputetët e opozitës ndodheshin në sallë. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, injoroi ne çdo moment kërkesat e deputetëve të opozitës për të marrë fjalën gjatë mbledhjes edhe pse ata ishin shumë pranë saj. Ajo arsyetoi se ky është një vendim i Konferencës së Kryetarëve dhe askush në atë sallë nuk mund ta ndryshonte.

Kjo sjellje shkaktoi zemërimin e deputetëve të opozitës, deri në momentin kur deputeti Gazment Bardhi i tha se nuk mund t’u mohojë atyre të drejtën e fjalës. Bardhi në një moment i merr fletët që kryetarja kishte përpara dhe ia hedh duke i thënë: ”Të të vijë turp që injoron deputetët e opozitës”.

Më pas Kryetarja Klotilda Bushka mbylli mbledhjen. Pamjet e sherrit janë shpërndarë nga celularët e deputetëve të opozitës në seance, pasi nga regjia e Kuvendit ata nuk janë shfaqur për asnjë moment në mbledhjen online. Debatet kanë shoqëruar edhe mbledhjen e parë të Komisionit të Sigurisë. Sipas vendimit të Konferencës së Kryetarëve, deputetët e maxhorancës e ndoqën mbledhjen online, ndërsa përfaqësuesit e opozitës ishin në sallë. Kryetari i këtij komisioni, Nasip Naço, u kërkoi anëtarëve të opozitës të futeshin online nëse dëshironin të ishin pjesë e mbledhjes. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Ervin Salianji, i cili u shpreh se ata ishin fizikisht dhe të mos bënin sikur ata nuk ekzistonin.

Deputet e opozitës propozuan dhe mbajtën 1 minutë heshtje për efektivin e Policisë të vrarë në Lezhë, ndërsa në të dyja mbledhjet e komisioneve të lartpërmendura përfaqësuesve të opozitës nuk iu hap për asnjë moment mikrofoni dhe nuk u fokusuan nga kamerat që mundësojnë transmetimin e mbledhjeve.

DEBATI NË KOMISIONIN E LIGJEVE

Klotilda Bushka: Deputetët e opozitës ndodhen prezent këtu në sallë. Unë ju uroj mirëseardhjen, por duke qene se jeni këtu prezent, ju lutem të logoheni online në mënyrë që të merrni pjesë në këtë mbledhje. Ne po zbatojmë një vendim të Konferencës së Kryetarëve dhe teknikisht asnjë komunikimi juaji në këtë mbledhje nuk mund të realizohet nëse nuk jeni online.

Gazment Bardhi: A do të na e japësh fjalën?

Klotilda Bushka: Nëse kolegët e opozitës nuk janë dakord, le të ulemi në Konferencën e Kryetarëve dhe ta ndryshojmë këtë vendim. Sa më takon, unë do të zbatoj vendimin e Konferencës së Kryetarëve. Nuk është vendim që e marrim ne këtu. Ju lutem, çdo kundërshti që anëtarët e opozitës kanë me mënyrën e zhvillimit të mbledhjeve duhet të diskutohet në Konferencën e Kryetarëve.

Gazment Bardhi: Do të na e japësh fjalën?

Klotilda Bushka: Do t’ia jap fjalën kujtdo nga kolegëve të opozitës që do të futet online.

Gazment Bardhi: Nuk na e përcakton ti. Ti je prezente në sallë dhe ne jemi në sallë. Na e hap mikrofonin. Ne duam të punojmë këtu. Nuk na e cakton ti ku logohemi dhe ku punojmë ne. A ka mundësi të na e japësh fjalën? Nuk mund t’u mohosh deputetëve të drejtën e fjalës. Respekto Kushtetutën dhe Rregulloren, na jep fjalën!

Klotilda Bushka: Vazhdojmë me rendin e ditës.

Gazment Bardhi: Ne po flasim këtu, ti vazhdon me rendin e ditës! Ça jemi ne këtu!

Klotilda Bushka: I mirëkuptoj kolegët e opozitës.

Gazment Bardhi: Të të vijë trup që i injoron deputetët e opozitës.

Debati në Komisionin e Sigurisë

Nasip Naço: Faleminderit që keni ardhur këtu, por për të qenë të pranishëm në mbledhje, se kemi edhe diskutime, duhet të logoheni online.

Ervin Salianji: Ne jemi fizikisht këtu, ne jemi të pranishëm. Nuk mund të bëni sikur nuk ekzistojmë!

Nasip Naço: Besoj që është një nga ngjarjet më të rënda humbja e jetës së një efektivi të Policisë. Iu shpreh ngushëllime familjarëve! Besoj që të mos përdoret si kapital politik. Mjafton të logoheni, sepse Konferenca e Kryetarëve ka vendosur për mbledhjen online.

Ervin Salianji: Sot ka ndodhur një nga ngjarjet më të renda, atentat ndaj shtetit. Humbja e jetës në krye te detyrës e një efektivi të ndershëm, nga të paktët që lufton realisht krimin dhe gjendjen e përhapur të kanabisit dhe drogës anembanë Shqipërisë. Kushdo që bie në luftë me krimin është dëshmor i atdheut dhe ne që jemi të pranishëm fizikisht nuk mund të bëjmë sikur nuk ekzistojmë, ashtu siç fshihen ngjarjet dhe mbulohen me propagandë. Ne ekzistojmë siç ekziston edhe kriminaliteti, vrasjet, droga, mungesa e rendit dhe sigurisë publike.

Flamur Noka: Veprimet e sotme tregojnë më së miri gjendjen që e keni çuar këtë Komision. Një minutë heshtje është e detyrueshme për çdonjërin prej nesh, për këtë oficer që dha jetën në betejë për rendin, ligjin, Kushtetutën dhe sigurinë publike, sigurinë e pronës dhe jetës së qytetarëve shqiptarë, në betejë me trafikantët dhe krimin e organizuar.

(Deputetët e opozitës mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në Lezhë)

Enkelejd Alibeaj: Kjo Republikë nuk e njeh gjendjen e jashtëzakonshme. Vendimi i Konferencës së Kryetarëve thotë këtë gjë: vendimet, mbledhjet e komisioneve merren online, por kur kushtet janë dhe në raste të jashtëzakonshme ato zhvillohen edhe fizikisht. Po a ka mbledhje që është në raste të jashtëzakonshme siç është edhe kjo e sotmja për ngjarjen fatkeqe që ka ndodhur? Nuk është kjo mënyra se si mund të vendoset parlamentarizmi në këtë vend.

PS nuk vjen, kaos edhe te komisionet e PD-së

Maxhoranca dhe opozita duket se kanë vendosur të “bojkotojnë” mbledhjet e komisioneve që drejtojnë kundërshtarët politikë, duke i qëndruar fort argumentit të tyre mbi mënyrën e mbajtjes së këtyre mbledhjeve.

Maxhoranca nuk pranoi t’u jepte fjalën deputetëve të opozitës që ishin në sallë në Komisionin e Ligjeve dhe Sigurisë, ndërsa në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë nuk morën pjesë. Në sallën ku u mbajt mbledhja e Komisionit të Shëndetësisë ishin të pranishëm vetëm deputetët e opozitës, ndërsa mungonin përfaqësuesit e maxhorancës. Kjo mbledhje për asnjë çast nuk u bë pjesë e platformës së Kuvendit për transmetim në faqet online. Mbledhja që u drejtua nga Albana Vokshi dhe nga pakica është ‘censuruar’ nga faqja e Kuvendit në “Facebook”.

Materiali i mbledhjes është shpërndarë nga Partia Demokratike, ndërkohë që Kuvendi i ka zhdukur pamjet nga faqet online. Sipas PD-së, mbledhja u ndërpre nga transmetimi edhe në TVSH. Mbledhjet e komisioneve parlamentare online kanë rezultuar një dështim që në seancat e konstituimit, pasi deputetët e opozitës nuk janë inkuadruar nga regjia e Kuvendit, e cila sipas projektit të dixhitalizimit, do të garantonte transparencë maksimale. Opozita ka qenë prezente fizikisht edhe në sallën e Komisionit të Politikës së Jashtme, për të marrë pjesë në mbledhjen e konstituimit, por ashtu siç ishte parashikuar nga maxhoranca, kryetarja e Komisionit, Mimi Kodheli, e zhvilloi mbledhjen e komisionit online nga zyra e saj. Për të shmangur debatet dhe përplasjen me deputetët e opozitës, znj. Kodheli e drejtoi për 1 orë e 36 minuta nga zyra e saj, ndërsa socialistët ishin prezentë online. Partia Demokratike, përmes një interviste të dhënë nga nënkryetari i Komisionit, Tomor Alizoti, e cilësoi vendimin për mbajtjen e mbledhjeve të komisioneve online si thyerje të Rregullores.

Teksa shpreh trishtimin për mungesën e jetës parlamentare në vend, Alizoti ironizoi me Kryeministrin Rama duke thënë se është e tmerrshme për këtë vend që “ikona e modës shqiptare” ka frikë nga përballja. “Është absurde që Komisioni i Jashtëm, në pikën më të rëndësishme të kombit shqiptar, ku tanket serbe janë në kufi, ku sot është edhe vizita e Ursula von der Leyen, në situatën kritike të politikës së jashtme, Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme mblidhet online, pra, mblidhet nëpërmjet telefonave, mblidhet nëpërmjet selfie-t. Kur e gjithë Shqipëria është e hapur, kur kafet janë plot, kur koncertet nga bota sllave vijnë dhe këndojnë në Shqipëri, me mijëra njerëz të cilët konsumojnë edhe alkool, Shqipëria sot dhe kombi shqiptar që ka një sfidë të madhe, ku ka lënë Kosovën vetëm, ku diskutohet vetëm Open Balkan, për influencat e Serbisë, kur influencat ruse janë afër Ballkanit, Komisioni i Jashtëm është online. Është me telefona. Ne ishim fizikisht dhe nuk patëm mundësi të komunikonim me njëri-tjetrin, të komunikonim me kolegët tanë, të kuptonim mbi sfidat e politikës së jashtme, mbi sfidat e këtij vendi, është absurde, është e turpshme që kjo Republikë Parlamentare s’ka asnjë tipar parlamentar.

Ky shtet është kthyer në një teatër kukullash. Është keq për vendin, ndihem shumë i shqetësuar bashkë me kolegët e mi që nuk kemi mundësi të mbrojmë interesat e vendit tonë, interesat e Shqipërisë, interesat e opozitës. Por fakti që Kryeministri, ‘ikona e modës shqiptare’, ka frikë nga përballja, është e tmerrshme për këtë vend. Ndihem shumë i trishtuar që ne nuk kemi jetë parlamentare”, tha deputeti Alizoti.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *