DEBATI/ SHISH përgjigje Kuvendit, çfarë ndodhi në komisionin për shkarkimin e Presidentit






pjimage - 2021-05-15T090219.311

MARIGLEN KUME/ Komisioni i posaçëm për hetimin e shkeljeve kushtetuese të Presidentit Ilir Meta ka marrë përgjigjet e para nga institucionet e pavarura shtetërore.

Burime nga komisioni hetimor thanë për gazetën “Panorama” se nga leximi vertikal që iu bë përgjigjes që kishte mbërritur në Kuvend nga Shërbimi Informativ i Shtetit, nuk kishte asnjë informacion konkret për kreun e shtetit.

Ndërkohë, në Kuvend kishte mbërritur po ashtu edhe përgjigja nga Prokuroria dhe SPAK, ku mësohet se në përgjigje thuhet se kreu i shtetit ka referuar më shumë se 20 kallëzime të bëra nga qytetarët, ndërsa vetë Presidenca ka kërkuar nisjen e hetimeve në SPAK në lidhje me një poster të vendosura në banera të mëdha ku shfaqeshin si të pandehur Presidenti, Berisha, Basha dhe Kryemadhi.

Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, miratoi planin e hetimit me votën unanime të të gjithë anëtarëve.

Komisioni diskutoi mbi përgjigjet e marra nga institucionet, lidhur me objektin e komisionit për shkeljet e kryera nga Presidenti Meta para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore të 25 prillit.

Socialisti Alket Hyseni iu referua rastit të Shtete të Bashkuara me procedurën e nisur nga Kongresi për shkarkimin në atë kohë të Presidentit Trump.

Madje komisioni diskutoi edhe veprimet e Presidentit, ku anëtari Spartak Braho ka pyetur dy mjekët e pranishëm nëse veprimet Metës të krijojnë përshtypjen se ai shfaqet në gjendje jonormale psikologjike.

Ndërkohë mësohet se ditën e djeshme Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht që sipas kalendarit të punës, të martën, më 18 maj, të zhvillohet seanca dëgjimore më kreun e shtetit.

Ndërsa një seancë tjetër pritet që të bëhet ditën e hënë nga komisioni parlamentar për hetimin e kreut të shtetit, për shqyrtimin e materialeve që kanë mbërritur nga AMA.

DISKUTIMET NË KOMISION:

Alket Hyseni: Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të mos paragjykuar qëndrimin tonë dhe të këtij komisioni.

Myslim Murrizi: Shoh nga përgjigjet e institucioneve, pa dashur t’iu japë zë, ne nuk shoqërojmë njeri me forcë për të ardhur këtu dhe në fakt as Presidentin, por unë do të doja që të kishim këtu në një seancë dëgjimore edhe shefin e SHISH dhe të Policisë së Shtetit. Të mos bëjmë atë lojën e kungulleshkave.

Alket Hyseni: Sa i takon kërkesës për thirrjen në seancë të kreut të Policisë së Shtetit dhe të SHISH, nuk duhet të nxitohemi, ne iu jemi drejtuar me shkresa. Ju ftoj të gjithë anëtarëve se çdo shqetësim që keni mund ta thoni dhe ju nisim shkresë këtyre institucioneve. Nëse në përgjigje shohim që informacioni nuk është i plotë, mund të shohim qëndrimin.

BRAHO KËRKON HETIM TË GJENDJES PSIKOLOGJIKE TE PRESIDENTIT

Deputeti i Partisë Socialiste Spartak Braho, i cili ka qenë njeri i afërt me kreun e shtetit Ilir meta, në seancën e djeshme kërkoi që komisioni të hetojë edhe gjendjen psikologjike të Presidentit.

Megjithatë, kjo dëshirë e tij u frenua nga sekretarja e komisionit, Klotilda Ferhati dhe kryetari i komisionit, Alket Hyseni.

“Çështja është kjo: në materialet audio dhe vizive që komisioni disponon në lidhje me deklarimet e Presidentit, të krijohet përshtypja se ai shfaqet në gjendje psikologjike dhe karakteriale aspak normale, madje ka formuluar dhe akuza për persona të veçantë, drejtues kryesorë të shtetit, të cilët trajtojnë dhe shfaqen si kapërcime logjike të tijat. Pyetja është kjo për dy kolegët mjekë: këto janë çështje shumë specifike për t’i vlerësuar ne si juristë, prandaj shtroj problemin se si e vlerësoni ju gjendjen psikike të Presidentit?”, tha Braho.

Hyseni: Nuk është objekt i veprimtarisë së këtij komisioni kjo.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *