Defektet në avionët Boeing 737 Max, ndryshime në kompani, shkarkohet drejtuesi

defektet ne avionet boeing 737 max ndryshime ne kompani shkarkohet drejtuesi
defektet ne avionet boeing 737 max ndryshime ne kompani shkarkohet drejtuesi

Kompania Boeing njoftoi të mërkurën se po zëvendëson drejtuesin e programit të avionëve 737 Max. Ky është largimi i parë i një drejtuesi të rëndësishëm, që nga 5 janari kur një panel u shkëput nga një avion i tillë gjatë fluturimit të linjës ajrore Alaska Airlines. Ed Clark, i cili ka punuar për kompaninë Boeing për gati 18 vite, u largua ndërsa kompania po përballet me krizën e saj më të fundit dhe është zotuar të rrisë kontrollin e cilësisë. Agjencitë rregullatore kanë urdhëruar uljen e nivelit të prodhimit të avionëve dhe ligjvënësit dhe klientët kanë kthyer të gjithë vëmendjen tek shqyrtimi i procesit të prodhimit dhe tek masat e sigurisë.

Kompania Boeing është munduar të japë shpjegime dhe të forcojë masat e saj të sigurisë pas shkëputjes së panelit nga avioni 737 Max 9, që detyroi pilotët e kompanisë Alaska Airlines të bënin një ulje emergjence, ndërsa pasagjerët mbetën të ekspozuar ndaj boshllëkut të krijuar në trupin e avionit në një lartësi prej pothuajse 4900 metrash, raporton VOA.

Largimi i zotit Clark u bë pasi bordi drejtues i kompanisë Boeing u mblodh këtë javë dhe miratoi disa ndryshime. Zoti Clark mbikëqyrte prodhimin në Renton të shtetit Uashington, ku dhe ishte përfunduar avioni i përfshirë në incidentin në fjalë. Zoti Clark kishte qenë më parë kryemekanik dhe inxhinier për avionët 737, përpara se të emërohej drejtues i programit në vitin 2021. Ai ishte drejtuesi i pestë në historikun e programit të avionëve 737.

Ai do të zëvendësohet nga Katie Ringgold në funksionet e zëvendës presidentit dhe menaxherit të përgjithshëm të programit 737, sipas një shkrese të parë nga agjencia e lajmeve Reuters të dërguar personelit nga drejtori ekzekutiv Stan Deal, i cili thotë se kompania po punon për t’u siguruar që “çdo avion që prodhojmë të plotësojë dhe tejkalojë të gjitha kriteret e cilësisë dhe sigurisë. Klientët tanë kërkojnë dhe meritojnë asgjë më pak se kjo”. Incidenti më i fundit ndodhi ndërsa kompania Boeing po përpiqej të rifitonte reputacionin e saj pas ndalimit të fluturimit për 20 muaj të avionëve 737 Max pas dy rrëzimeve fatale. Masa e ndalimit të fluturimit përfundoi në nëntor 2020. Nga rrëzimet e dy avionëve humbën jetën 346 persona. Drejtues të linjave ajrore kanë shprehur zhgënjimin e tyre me kontrollin e cilësisë së kompanisë Boeing. Kompania tjetër kryesore në prodhimin e avionëve komercialë është kompania franceze Airbus.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts