“Demokratët vendosin se si do të drejtohet PD-ja!”- Flet Belind Këlliçi: Shtymë Kuvendin nga 22 marsi më 30 prill për t’u dhënë kohë atyre që refuzonin të shihnin realitetin!









MARIGLEN KUME/ Kuvendi i Partisë Demokratike do të zhvillohet më 30 prill dhe do të vendosë se si do të drejtohet PD në vijim. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, anëtari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Belind Këlliçi, tha se në çdo degë dhe grupseksion po vijon procesi i riorganizimit.

belind kellici spak

Këlliçi tha se axhendat paralele, duke nënkuptuar lëvizjen e ditëve të fundit të Bashës në takime, nuk ndihmojnë bashkimin e demokratëve, por mbajnë gjallë përçarjen dhe kësisoj i japin oksigjen Ramës. Sa i përket ankimimit nga Alibeaj të vendimit të Gjykatës së Tiranës, Këlliçi u shpreh se kryetari i Grupit Parlamentar nuk ka asnjë funksion organizativ partiak që ta legjitimojë atë për të bërë ankimimin.

Më 30 prill Komisioni i Rithemelimit ka planifikuar të mbahet kuvendi i PD-së. Deri në këtë moment që flasim, a ka prodhuar bashkim procesi? Apo do të ketë një pjesë të demokratëve të distancuar.

Është e vërtetë që ka pasur një debat shumë të gjatë në PD, për muaj të tërë, për shkak se gjatë muajve të kaluar, gjatë 7 muajve të fundit, përveç se është refuzuar të shihet në sy realiteti, ka pasur edhe një problem tjetër të madh. Nuk është lejuar që çdo kundërshtim të zgjidhet me votë. Ne këtë fazë e kemi superuar. Sot, në një pjesë të madhe të degëve të PD-së, ka një proces shumë të mirë të bashkimit të demokratëve, në çdo seksion apo grupseksion, në bazë. Kudo ku ne kemi strukturat tona. Nuk do të isha i vërtetë nëse do t’ju thosha se kjo është 100% në çdo degë të PD-së. Por është i qartë vullneti për t’u bashkuar i çdo demokrati në çdo qytet apo degë të Partisë Demokratike. Procesi vijon dhe deri në fund do të prodhohet një bashkim i vërtetë i demokratëve dhe qëllimi i PD-së sot është që çdo sekondë që kemi humbur përballë Ramës, ta rikuperojmë një orë e më parë dhe të orientojmë të gjithë fuqinë tonë opozitare, drejt qeverisë dhe Kryeministrit që sot është kundërshtari më i egër i çdo demokrati. Sido të ketë menduar çdo demokrat, ne duhet të kuptojmë diçka; se personi përgjegjës për rrënimin ekonomik është Rama. Ne jemi të bashkuar në diversitet. Ne jemi PD, partia që ka themeluar mendimin ndryshe në Shqipëri dhe jo çdo njeri është në rresht për një dhe ka të njëjtin opinion.

850x636_441626533424

A mundet të bashkohet PD me një proces të njëanshëm? A do të ishte më mirë që të shtyheshin zgjedhjet për hir të bashkimit. Ka pasur edhe një rezolutë nga deputetët dhe thirrje për ta shtyrë?

Nuk ka një proces të njëanshëm në PD, sepse ka një proces zyrtar të PD. Nga data 11 dhjetor, kur ka pasur një vendimmarrje të qartë të pakontestruar nga çdo demokrat, kushdo që ka refuzuar të pranojë realitetin dhe ka humbur kohë me situata imagjinare, fajin nuk ia kanë demokratët. Ne sot ndodhemi para një situate ku Kuvendin Kombëtar, që e kishim më 22 mars, për hir të kësaj që ju thoni, e shtymë me 5 javë e gjysmë, më 30 prill, pikërisht për t’i dhënë kohë çdo demokrati, çdo funksionari të PD-së që të bashkohet. Unë dua ta shfrytëzoj edhe këtë intervistë për t’i bërë një thirrje çdo kolegu tim, çdo demokrati, që të vijnë e të bashkohen. Ne kemi qëllimin e vetëm që të rrëzojmë Edi Ramën. Nuk ka më debat të brendshëm të PD-së, sepse kjo i jep oksigjen Edi Ramës. Ne i kemi shteruar debatet tona dhe sigurisht 11 dhjetori e 6 marsi kanë qenë data vendimtare për të përcaktuar fatin e opozitës dhe të PD-së dhe sigurisht sot nuk ka ndonjë qytetar që ka ndonjë pikëpyetje mbi situatën në PD. Deri më datë 30 askush nuk është i përjashtuar. S’e di të keni dëgjuar ndonjë anëtar të Komisionit të Rithemelimit që të ketë folur me terma përjashtues. Përkundrazi, gjatë gjithë kohës flitet për bashkimin e demokratëve.

Nga 25 marsi kemi një realitet të ri. A do të ishte mirë që të mos përsëriteshin gabimet e së shkuarës. Nuk do të ishte më mirë që të bashkoheshin demokratët dhe më pas të futeshin në një proces normal zgjedhor?

60095678_303

Patjetër, kjo logjikë që ju thoni është përdorur edhe në momentin që u shty. Ne patëm një vendimmarrje për të shtyrë Kuvendin e datës 22 mars. Po të kishim pasur qëllimin që është aluduar dhe të kishim një proces të njëanshëm, do ta kishim mbyllur këtë proces më 22 mars dhe do të kishim përfunduar. Jo, pikërisht për të bërë një analizë konkrete dhe për t’u dhënë kohë të gjithëve për të gjetur rrugën e përbashkët. Qëllimi i përbashkët është rrëzimi i kësaj qeverie. Ka mjaftueshëm kohë që çdo deputet, anëtar kryesie, drejtues dege, drejtues grupseksioni, të gjejë gjuhën me demokratët. Nuk e shoh kaq të vështirë, pasi personi që pati një vendimmarrje personale më 9 shtator, Lulzim Basha, është larguar nga PD dhe për sa kohë personi që pati një vendimmarrje personale nuk është më në drejtimin e PD-së, atëherë çdo individ është i ftuar në këtë proces që të jemi bashkë. Meqë vendimmarrja ishte personale, edhe përgjegjësia është personale në gjykimin tim.

A janë bërë pjesë e procesit zgjedhor për përzgjedhjen e drejtuesve të degëve?

Pa diskutim që po. Unë po ndjek procesin e riorganizimit në qarkun e Beratit. Le të dalë vetëm një individ në Berat, një demokrat që të thotë që Belindi, si përfaqësues i komisionit, më ka përjashtuar nga ky proces. Asnjë nuk ka. As në Berat, as në Poliçan dhe as në Skrapar nuk ka pasur asnjë përjashtim. Në Poliçan, në Berat, ish-drejtues grupseksionesh që kanë qenë mbështetës të Bashës, kanë rezultuar me votë kryetarë grupseksioni. Ju ftoj të shkojmë t’i verifikojmë bashkë dhe ta shikoni që kjo që po ju them është fakt. Nuk është përjashtuar kurrkush. Më nxirrni një individ që të thotë se ne kemi pasur një tentativë për të përjashtuar. Kemi bërë thirrje për bashkim. Një bashkim real do të dojë kohën e tij. Por duhet vullneti. Vullneti është për t’i bërë palët bashkë, jo për t’i ndarë, sepse ne të gjithë të bashkuar s’e mundëm dot Ramën. Këtë s’duhet ta harrojmë, ndaj gjykoj se në këtë moment, çdo demokrat është i rëndësishëm.

A është ftuar i gjithë Grupi i PD-së në Kuvendin e 30 prillit?

Çdo deputet, çdo demokrat, delegat që do të zgjidhet nga ky proces dhe kushdo, që të bëhet pjesë e Kuvendit për të ndjekur nga afër punimet, janë të ftuar të jenë pjesë. Ka marrë fund mentaliteti i blindimit të dyerve. Ku vidheshin zyrat e funksionarëve të partisë. Ku në parti përjashtoheshin deputetët, nuk lejoheshin të hynin deputetët. Ju e shihni si është sot PD, që mund të vijë kushdo dhe mund të ketë një opinion ndryshe dhe gjithçka zgjidhet me debat e diskutim.

E kanë konfirmuar deputetët pjesëmarrjen?

Berisha-cover-e1639244000187

Jemi shumë herët për të marrë një konfirmim të tillë, por po ju them që çdo deputet dhe funksionar i PD-së është i ftuar të jetë pjesë e 30 prillit. Nuk ka asnjë demokrat të përjashtuar nga ky proces. Kushdo që i fryn këtij zjarri, i fryn zjarrit të konfliktit të përçarjes dhe i shërben Edi Ramës. Kushdo që mban gjallë përçarjen në PD, bën takime me axhenda paralele, sot i jep oksigjen Edi Ramës.

Alibeaj, si kryetar grupi, ka bërë një ankimim në gjykatë, ndërkohë përmes një vërtetimi në regjistrin e PDsë figuron Basha si kryetar i PD-së. Komisioni nuk njihet si organ drejtues.

Ta marrim pjesën që nuk qenka shkarkuar, sepse ka procedurat e saj edhe zbardhja e vendimit të gjykatës për t’u reflektuar në regjistrin e partive politike. Por si mund të lëshohet ai vërtetim kur vetë Basha ka nja 3 javë që ka dhënë dorëheqjen. Dhe sipas asaj logjike, minimumi i bie se Basha ka dhënë dorëheqjen. Të mos humbasim kohë me skupe mediatike dhe me lajme që nuk i shërbejnë situatës dhe realitetit në PD. Ka një vendim gjykate që do kohën e vet për t’u zbardhur dhe për t’u reflektuar në zbatim të ligjit. Dhe ka një tentativë për të bërë një padi nga Alibeaj, i cili është sot vetëm kryetar i Grupit Parlamentar dhe nuk është më nënkryetar i PD-së dhe nuk është më titullar i kësaj force politike, flas nga ana strukturore. Ka vetëm cilësinë e kryetarit të grupit dhe, duke qenë se nuk ka qenë palë në këtë proces, nuk mundet, dhe ai më mirë se kushdo tjetër e di, se nuk mund ta bëjë atë apelim. Por e vërteta do të prevalojë mbi gjithçka.

A ka funksionuar drejtimi kolegjial i partisë dhe a mund të jetë një grup i vogël drejtuesish pas Kuvendit Kombëtar, të cilët mund të drejtojnë në mënyrë kolegjiale partinë deri në zgjedhjet vendore?

Kjo mbetet për t’u parë dhe për ta vendosur vetë demokratët. Unë kam dëgjuar shumë lajme edhe për veten time, por që janë “fake news”. Komisioni i Rithemelimit është organ kolegjial me 28 anëtarë dhe ka një vendimmarrje të përbashkët. Kemi pasur edhe raste kur s’kemi pasur të njëjtin opinion, por kemi marrë vendimmarrje me votë me shumicë. 30 prilli do të sqarojë çdo format të drejtimit të opozitës, qoftë ai kolegjial apo qoftë normalja që të ketë një kryetar, apo një kryetare të zgjedhur. Kjo i takon axhendës së kuvendit të datës 30 prill.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.